Në orët e paraditës së sotme, një ngjarje e papritur dhe shqetësuese ka ndodhur në Suhodoll të Poshtëm, kur një makinë me targa të Beogradit ka filluar të hyjë nëpër shtëpi të fshatit nën pretekstin e regjistrimit të Ekonomive Familjare për vendosjen e Njehësorve Elektrikë.
Autoritetet lokale dhe banorët janë njoftuar menjëherë, dhe policia e Kosovës është angazhuar për të trajtuar situatën. Incidenti është raportuar në shtëpinë e Familjes Aliu, dhe personat e dyshimtë janë identifikuar dhe larguar prej aty me ndihmën e policisë dhe revoltën e popullsisë lokale.
Autoritetet kërkojnë që banorët e Suhodollit dhe zonave të tjera në Veri të jenë të kujdesshëm dhe nëse hasin në situata të ngjashme të lajmërojnë menjëherë Policinë e Kosovës për ndërhyrje të menjëhershme.
Nesër, më datë 23 shkurt 2024, Kryesia e Suhodollit të Poshtëm ka caktuar një takim me Policinë e Kosovës për të diskutuar më tej për rastin dhe për ecurinë e hetimit.