Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka folur për ndodhinë e pazakontë në fshatin Peran të Podujevës, ku një mërgimtar i ka ngritur një shtatore kryeministrit Albin Kurti në hyrje të shtëpisë së tij.
Konjufca ka thënë se nuk beson që edhe Kurti është ndjerë mirë kur e ka parë një gjë të tillë. Tutje kryekuvendari e ka cituar edhe tashmë veprimtarin e ndjerë Adem Demaçin, i cili ka thënë se njeriut s’duhet t’i bëhet përmendore derisa t’i kryen bilancet e jetës.
Vdekja, thotë Konjufca se është momenti përfundimtar kur dikujt i shkruhet biografia objektive, madje thotë se as pas vdekjes s’mund të jetë objektive, duke thënë se shqiptarët kanë ende figura politike për të cilat ka mendime të kundërta, duke përmendur Ahmet Zogun, raporton Gazeta Expres.
“Kur të bohesh për përmendore, dmth veç e ke kaluar testin historik. Dëgjo kjo puna e përmendoreve, e di edhe vetë se me Albinin jemi rritë politikisht, e dimë çfarë vlera kemi, çfarë ideologjie ndajmë. As atij s’besoj që i ka ardhë më së mirë kur e ka pa. Ai ka punuar me bacin Adem, edhe pas luftës ai ka vazhdu me ardhë në zyrat tona, baca Adem. Ai thoshte që njeriut s’duhet kurrë me i bo përmendore deri t’i kryen bilancet e jetës. Kur njeriu të ndërron jetë, aty është momenti përfundimtar kur shkruhet biografia objektive, bile bile prapë ndoshta nuk mundet me qenë objektive. A e ke pa qysh i kemi ne disa figura historike, ende për ato këna disa debate. P,sh Ahmet Zogun. Ka pro et contra. Edhe pse shumë moti ka ndërru jetë. Kështu është historia dhe jeta e figurave politike”, ka thënë Konjufca për Demos.
Ai tutje ka thënë se përmendoren që i është bërë Kurtit thjesht e sheh si një gjest simpatik, pa e komentuar më tej, meqë s’dëshiron ta prishë festën.
“Thjeshtë mu duk gjest simpatik. Që kishin investu me u kriju ajo statujë. Mu ka dukë shumë prej vullnetit mirë, spo e gjykoj, s’po du me e prishë festën.”, ka thënë Konjufca.