Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka folur lidhur me aktualitetin politik në Kosovë.
Tahiri, ka folur edhe për kritikar që u drejtuan në Qeverinë e Kosovës se në një video të publikuar në Facebook për manifestimin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka larguar pjesën kur Hashim Thaçi, kryeministër i atëhershëm, ka lexuar deklaratën e pavarësisë.
“Deklarata e Pavarësisë është dokument i Hashim Thaçit. Thaçi ia ka prezantuar Kuvendit të Kosovës e më pas është votuar si deklaratë dhe më pas u shpall Kosova shtet i pavarur dhe sovran. Po flasim për një dokument, nëpërmjet të cilit, Kosova u bë republikë”, tha ai.
Tahiri ka kritikuar qeverisjen aktuale.
“Tani kur e sheh njeriu vogëlsinë e këtyre që na udhëheqin sot, ne nuk prekemi shumë nga ta, sepse e dimë se çfare janë dhe nuk mund ta tejkalojnë atë. Shpallja e Pavarësisë është moment i papërsëritshëm. Këta janë shumë të vegjël pavarësisht fitores që e kanë pasur në zgjedhje. Këta as nuk dinë me qeverisë, as nuk dinë t’i trajtojnë ngjarjet tona historike”, u shpreh Tahiri.
Tahiri ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se në këtë përvjetor të pavarësisë, për herë të parë në Kosovë nuk vjen asnjë delegacion i huaj.
Deputeti i PDK-së, e ka quajtur “mjerim”, se në Kosovë nuk ka ardhur askush as nga Shqipëria.