Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka uruar Kosovën me rastin e përvjetorit të 16-të të pavarësisë.Blinken ka shkruar se SHBA e vlerëson partneritetin e qëndrueshëm të rrënjosur në mirëkuptimin reciprok, vlerat e përbashkëta dhe miqësinë mes dy popujve, shkruan Gazeta Express.
Sekretari Amerikan i Shtetit ka thënë se SHBA e inkurajon Kosovën që të zbatojë zotimet e saj dhe të ecë përpara përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të arritur një marrëveshje reciproke të normalizimit me Serbinë, në rrugën drejt njohjes përfundimtare reciproke.
“Shtetet e Bashkuara besojnë se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe në institucionet euroatlantike. Ne mbështesim aspiratat e përcaktuara në deklaratën tuaj të pavarësisë dhe kushtetutës për të “kontribuuar në stabilitetin e rajonit dhe të gjithë Evropës duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi”, ka shkruar Blinken.
“Ne mirëpresim mbështetjen e palëkundur të Kosovës për Ukrainën kundër luftës brutale dhe të padrejtë të Rusisë dhe jemi mirënjohës për ndihmën bujare të Kosovës për gazetarët dhe të tjerët që kërkuan strehim në vendin tuaj. Mezi pres të thellojmë partneritetin tonë në forcimin e demokracisë dhe krijimin e kushteve që Kosova dhe të gjithë qytetarët e saj të prosperojnë në një botë më të sigurt, më stabile dhe më të begatë”, thuhet në letrën e Sekretarit Blinken.
“Urime sërish mikut, partnerit dhe aleatit tonë përvjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Paç një vit të qetë dhe të begatë përpara”, ka përfunduar Blinken.