Kosova feston 16-vjetorin e shpalljes së pavarësisë

Republika e Kosovës feston sot 16-vjetorin e pavarësisë.

Më 17 Shkurt të vitit 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli Kosovën shtet të pavarur sovran dhe demokratik. Ky përvjetor do të përcillet me shumë aktivitete institucionale. Krerët e shtetit do të bëjnë ngritjen e flamurit shtetëror në mëngjes, do të bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova e ai i veprimtarit Adem Demaçi dhe në Kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz.

Ndërkohë, Kuvendi do të mblidhet në seancë solemne. Më vonë, krerët e shtetit do të mbajnë edhe pritjen shtetërore. Deri tani, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 117 vende. Shteti i fundit që ka njohur është Izraeli.

Programi i plotë i manifestimeve shtetërore për shënimin e 16-vjetorit të Pavarësisë:

Në orën 08:00, Qeveria e Kosovës do të mbajë Mbledhje Festive. Në orën 08:20, do të bëhet ngritja e Flamurit të Republikës së Kosovës.

Më pas do të bëhen nderime te Monumenti i të Pagjeturve, nga ora 08:30. Në 08:45, do të bëhen homazhe te varri i ish-Presidentit Dr.Ibrahim Rugova, e më pas te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Në 09:50, do të bëhen homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Do të bëhen edhe nderime te Monumenti “Heroinat”, te Monumenti i Policëve të rënë në detyrë, si dhe te pllaka e fëmijëve të vrarë gjatë luftës, që ndodhet në oborrin e Kuvendit.

Ndërkohë, seanca solemne e Kuvendit do të mbahet me fillim nga ora 12:00. Nga ora 17:00, mbahet pritja shtetërore nga Presidentja Vjosa Osmani, Kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe Kryeministri Albin Kurti.

Dy aktivitetet e fundit të kësaj dite janë Koncerti i Pavarësisë që do të mbahet në orën 18:00 në shesh, si dhe Koncerti solem i Filharmonisë së Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *