Protesojnë infermierët e punëtorët e tjerë shëndetësorë të SHSKUK-së, duan kushte më të mira

Infermierë, punonjës teknikë e të administratës të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK) protestuan më 15.02.2024 para drejtorisë së këtij institucioni.

Ata shprehën pakënaqësitë e tyre duke thënë se ndihen të diskriminuar e të anashkaluar nga institucionet.

Kërkesat e tyre përfshijnë paga më dinjitoze, pagesën e punës gjatë fundjavave, gjatë festave dhe gjatë orëve shtesë.

Sipas tyre, këto pagesa për infermierët janë shumë herë më të ulëta sesa për mjekët.

Ata po ashtu po kërkojnë pagesën e shtesës së nëpunësit shëndetësor.

Rregullorja e Ministrisë së Shëndetësisë për shtesën e nëpunësit shëndetësor, e cila është e bazuar në Ligjin për Paga parasheh që këto shtesa t’u jepen vetëm mjekëve specialistë, të cilët punojnë veç në sektorin publik.

Infermieri Enlirat Duraku përmendi nenin 30 të Ligjit për Paga. Ky nen thotë se “Shtesa për nëpunësen/in e sistemit shëndetësor përfitohet nga nëpunëset/it të cilët vendosin të kenë një karrierë profesionale shëndetësore të përqendruar vetëm në sektorin publik.”

E sipas tij, Ministria ka bërë ndarje, duke ofruar këtë shtesë vetëm për mjekët.

“Jemi mbledhë këtu sot me kërku vetëm zbatimin edhe respektimin e Ligjit për neve” – tha ai.

Kryetari i Shoqatës Sindikale të QKUK-së, Xhemajl Selmani, pati kritika për këtë Ligj.

“Kanë mbetë keq me pagat të gjithë punonjësit e tjerë shëndetësorë, të cilët janë secili në punën e vet të rëndësishëm” – u shpreh ai.

Sipas tij edhe punëtorët e sektorit privat (higjienistët) që janë të angazhuar në Qendrën Klinike e Universitare të Kosovës kanë paga të vogla.

Protestuesit presin që kjo protestë t’i sensibilizojë strukturat qeverisëse.

“Me keqardhje ju them se ata e kanë ndërpre dialogun social që me ardhjen në qeverisje” – tha Selmani, teksa përmendi edhe mundësinë e grevës. “Mund të futemi edhe në greva” – shtoi ai.

Dy infermiere në Klinikën e Pulmologjisë thanë se ndërrimi i natës u paguhet 20 euro, e sipas tyre për këtë ndërrim, mjekët marrin rreth 300 euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *