Tre të mitur dhe një i person i moshës madhore kanë vdekur nga zjarri që shpërtheu mëngjesin e 15 shkurtit në një vendbanim rreth orës katër në një lagje të banuar me romë në Tivar, në Mal të Zi.
Zjarri, që shpërtheu rreth orës 04:00, përfshiu disa objekte dhe më pas u njoftua zjarrfikësja.
Siç tha prokurorja Mirjana Tankosiq Vuçiniq për Radion Evropa e Lirë, katër trupat e pajetë u gjetën në vendngjarje.
“Kemi gjetur katër baraka të djegura dhe katër trupa të djegur në to. Shkaku i zjarrit do të dihet pas vlerësimit të ekspertëve”, tha ajo.
Zjarri përfshiu një lagje të improvizuar ku jetojnë kryesisht romë. Këshilli i Romëve në Mal të Zi tha se kjo tragjedi tregon se sa është e nevojshme shpërngulja e familjeve rome nga lagje të tilla.
“Fakti që shumë familje detyrohen të jetojnë në baraka të parafabrikuara, pa kushte dhe siguri adekuate, është një problem serioz social. Pa mbështetjen dhe masat e duhura mbrojtëse, këto familje janë të ekspozuara ndaj një rreziku më të madh të aksidenteve siç është ky zjarr”, tha këshilli.
Këshilli i Romëve u bëri thirrje autoriteteve shtetërore që të përmirësojnë kushtet e banimit për popullatën rome në Tivar dhe në mbarë Malin e Zi.