Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se ishte e pamenduar 16 vjet më parë kur Kosova shpalli pavarësinë që ajo do të sanksionohej nga Bashkimi Europian dhe që do të kërcënohej nga SHBA me shkëputje të partneritetit.
Por, ai thotë se është për fat të mirë që SHBA ka paralajmëruar Qeverinë e Kosovës dhe jo popullin e saj.
“Në prag të përvjetorit të 16-të pavarësisë tonë, kush do ta kishte menduar 16 vjet më parë që në 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Kosova do të jetë vend i sanksionuar nga Bashkimi Europian. Kush do ta kishte menduar 16 vjet më parë se do të marrim kërcënimet më të ashpra të qeverisë amerikane për shkëputjen e partneritetit tonë me SHBA-në. Kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme dhe s’mund të kalohet në heshtje. Po kërcënojnë direkt Qeverinë e Kosovës për shkëputje të partneritetit, por fatmirësisht jo shtetin e Kosovës, jo qytetarët e Kosovës”.
Tahiri kërkoi në Kuvend që të bëhet gjithçka me mjetet demokratike që kanë në duar për t’ia ndërprerë mandatin Qeverisë Kurti.
“Nuk mund të rrimë duarkryq përballë kësaj situate. Duhet të angazhohemi që t’ia shkurtojmë jetën kësaj qeverie. I kemi një nr të marrëveshjeve ndërkombëtare, çfarë kuptimi ka kur ne po sanksionohemi çdo ditë”.
Ai tha se asnjëherë s’ka pasë përvjetor më të zbehtë të pavarësisë, derisa përmendi edhe festën e ambasadës së Kosovës në Shkup.