Në Spitalin Regjional të Prizrenit sot është përuruar projekti i MRI-së. Aty morën pjesë edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Kurti para mediave e falënderoi të gjithë stafin që punon në spital, dhe tha se rezonanca magnetike e Prizrenit do t’u shërbejë edhe qytetarëve të komunave të tjera përreth në atë rajon.
Me këtë rast Kurti ka theksuar se si qeveri janë duke u angazhuar për rritjen e shërbimeve cilësore, për çfarë tha se investimet nuk do të jenë të përqendruara vetëm në QKUK në Prishtinë, por në të gjitha komunat.
Kurti derisa ka treguar për vlerën e pajisjes, shtoi se përveç qytetarëve të komunës se Prizrenit, mundësi për këtë shërbim do të kenë edhe qytetarë të komunave të ndryshme të vendit.
E ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se qyteatrët e Prizrenit meritojnë shërbime më të mira. Ai tha se u njoftuan edhe për planet e këtij spitali për këtë vit.
“U njoftuam për punët e tjera që janë kryer gjatë vitit 2023 dhe investimet që janë bërë . U njoftuam për planet në vitin 2024 dhe jam jashtëzakonisht i lumtur që brenda 16 muajve të fundit janë bërë investime në spitalin e Prizrenit që nuk janë bërë për ndoshta për 10 dhjetë vitet e fundit dhe kjo natyrisht se më bën të lumtur. E para sepse qytetarët e Prizrenit meritojnë shërbime sa më të mira shëndetësore, sa më cilësore duke filluar nga ajo diagnostike siç ishte rezonanca magnetike që e përuruam sot por është edhe pjesa tjetër që shërbime shëndetësore, cilësore në spitalin e përgjithshëm në Prizren natyrisht do të kemi më pak pacientë të referuar në QKUK ku pastaj edhe atje puna mund të bëhet më lehtë dhe më mirë”, u shpreh Vitia.