Gazeta Neutral, në janar të këtij viti ka raportuar ekskluzivisht për skandalin që ka ndodhur në Ministrinë e Mbrojtjes, ku vetura zyrtare e ministrit Ejup Maqedonci u keqpërdor nga Skender Zeneli e i cili nuk kishte autorizim për ta vozitur veturën e ministrit, madje, i njëjti nuk kishte as patentë shofer.
Për rastin në fjalë, Ministria e Mbrojtjes konfirmon për Gazetën Neutral se Zenel Zeneli, shoferi i ministrit, dhe njëherësh vëllai i Skender Zenelit, ka dhënë dorëheqje pas keqpërdorimit të veturës nga vëllai i tij.
Lajmin për Gazetën Neutral e ka konfirmuar zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Liridona Gashi.
“Zenel Zeneli, shoferi i ministrit Maqedonci i cili ka qenë përgjegjës për automjetin Audi ka ofruar dorëheqje. Meqenëse ka ndodhur keqpërdorimi, pavarësisht se jo me dijeninë e Zenel Zenelit i cili në ditën kur ka ndodhur rasti ka qenë jashtë vendit, veprimi i familjarit të tij nuk mund të arsyetohet andaj dhe dorëheqja është pranuar”, ka deklaruar Gashi.
Tutje, ajo shtoi se që nga data 7 shkurt, Zeneli është liruar nga detyra e shoferit të ministrit Maqedonci.
“Nga data 07.02.2024, të njëjtit i është shkëputur marrëdhënia e punës në Ministrinë e Mbrojtjes”, përfundon Gashi.
Kur ndodhi skandali?
Pasditja e së dielës të 28 janarit, rezultoi të jetë ditë “adekuate” për keqpërdorim të veturës zyrtare të ministrit Maqedonci derisa ky i fundit gjendej në një vizitë zyrtare në Turqi.
Skender Zeneli, i cili është vëllai i shoferit të kësaj ministrie, Zenel Zenelit dyshohet ta ketë marrë veturën Audi A7 paautorizim dhe me drita rotative ka vozitur lirshëm rrugëve të Prishtinës.
I njëjti, u ndal në fshatin Bardhosh në një pikë kontrolli rutinore të Policisë së Kosovës, anipse Zeneli duke përdorur dritat rotative kishte tentuar të mos lërë gjurmë tek zyrtarët policor.
Zeneli, sipas burimeve të Gazetës Neutral pasi ishte kapur nga Policia, kishte deklaruar se përvec që nuk është person i autorizuar për të vozitur makinën e ministrit, ai nuk kishte as patentë shofer.
Me të pranuar informatën nga Policia e Kosovës, vetura është marrë nga Policia Ushtarake e vendit.
Ndryshe, rasti nuk është raportuar në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës. Gazeta Neutral, tash e sa javë është në pritje të përgjigjeve nga Policia, mirëpo deri në publikimin e këtij atikulli, këta të fundit nuk janë deklaruar.