Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të premten gjatë dhënies së fjalës përfundimtare, ish-kryeshefi i Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Luan Latifi, i cili po akuzohet për marrje ryshfeti, tha se akuza ndaj tij është trillim dhe keqcitim.
“Akuza është trillim e keqcitim, mirëpo kryesorja që duhet me u verifiku është se unë kurrë s’kam premtu që kam me ndiku për mosshqiptim të gjobës te Komisioni, pasi që e njëjta nuk provohet askund”, ka thënë i akuzuari Latifi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, prokurori Zef Prendrecaj e dorëzoi fjalën e tij përfundimtare me shkrim dhe më pas e elaboroi.
Prendrecaj tha se në këtë çështje penale gjatë shqyrtimit gjyqësor bindshëm u vërtetua se i akuzuari Latifi me veprimet e përshkruara si në diapozitiv të aktakuzës në bashkëkryerje me Arben Bilallin kanë kryer veprën penale “Marrje ryshfeti”.
Prokurori Prendrecaj ka propozuar që me rastin e përcaktimit të llojit të lartësisë së dënimit, të vlerësohen rrethanat rënduese, shkalla e lartë e dashjes, pasi që i akuzuari është person zyrtar dhe se asnjëherë s’ka shprehur keqardhje për një veprim të tillë.
Ai tha se nga deklaratat e të dëmtuarve, dëshmitarëve, në mënyrë bindëse dhe nga transkriptet është vërtetuar se i akuzuari Latifi ka kryer veprën penale që i vihet në barrë, duke i propozuar gjykatës që i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
Po ashtu, prokurori Prendrecaj ka kërkuar që ndaj të akuzuarit Latifi të shqiptohet edhe dënimi plotësues – Ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike.
Kurse, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Naim Rudari gjatë dhënies së fjalës përfundimtare tha se është vërtetuar përtej çdo dyshimi të bazuar mirë, se dy të akuzuarit kanë kryer veprën penale të Keqpërdorimit, madje sipas tij ka pasur edhe vepër penale të “Shantazhimit”, pasi që sipas tij Elhami Haziri vazhdimisht është shantazhuar.
Ai tha se kjo vepër është kryer përfundimisht nga i akuzuari Latifi, ndërsa Arben Bilalli tha se mendojnë se ka qenë një bashkëkryerës i cili ka qenë i obliguar nga Latifi.
Avokati Rudari ka kërkuar nga gjykata që të analizojë të gjitha provat dhe i akuzuari Latifi të shpallet fajtor dhe të marrë dënimin e merituar pasi që nuk ka asnjë rrethanë lehtësuese për të, duke kërkuar që t’i shqiptohet edhe dënimi plotësues – Ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Latifi, avokati Driton Musliu tha se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor janë dëgjuar keqcitime, manipulime, shpifje dhe deklarata të rreme nën betim për të vetmin qëllim që doemos i mbrojturi i tij të shpallet fajtor.
“Më tutje, pavarësisht provave se dëshmojnë të kundërtën të cilat i kemi sjellë na, kanë qenë të pamjaftueshme sepse prokurori i rastit e ka ndarë mendjen qysh në fillim të fazës hetimore, domethënë kur merret deklarata e palës së dëmtuar, dhe me këtë më pastaj të gjitha provat i keqciton, i manipulon dhe kjo është dëshmuar që ka ndodhur gjatë shqyrtimit gjyqësor”, tha avokati Musliu.
Ai tha se i akuzuari Latifi dhe Elhamiu, nuk e kanë pasur një raport sipërfaqësor siç pretendon Elhamiu, por janë njohur shumë mirë dhe i njëjti ka kërkuar disa herë ndihmë prej Luanit.
Avokati ka kërkuar që të konfirmohen të gjitha këto që u thanë, duke shtuar se ka dorëzuar edhe një transkript me fjalë që nuk janë të cekura në transkriptin e Prokurorisë.
“Pse ka nevojë prokurori të lë prova anash, pse ka nevojë disa prova t’i cek e disa jo. Nuk është kompetencë e as detyrë e tij”, tha avokati Musliu.
Kurse, i akuzuari Latifaj ka mbështetur fjalën e mbrojtësit të tij në tërësi, duke shtuar se akuza është trillim e keqcitim dhe se gjëja kryesore që duhet të verifikohet është se ai asnjëherë nuk kishte premtuar që do të ndikojë për mosshqiptim të gjobës te Komisioni dhe se e njëjta nuk provohet askund.
Pas deklarimit të tyre, prokurori Prendrecaj ka reaguar duke thënë ky deklarim i mbrojtjes nuk qëndron dhe sipas Kodit të Etikës për avokatë, pasi nuk mund të japë deklarime të cilat dëmtojnë reputacionin e prokurorit të rastit dhe as të sistemit prokurorial në tërësi.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 nëntor 2021, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj dy të akuzuarve Luan Latifi dhe Arben Bilalli, duke e refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj të akuzuarit Latifi dhe po ashtu kishte ndërprerë masën e arrestit shtëpiak ndaj tij dhe të akuzuarit Bilalli.
Ndërsa, pas ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Latifi, avokatit Driton Musliu, Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e shkallës së parë, me të cilën ishte konfirmuar aktakuza për korrupsion ndaj të akuzuarit Latifi dhe e kishte kthyer çështjen në rivendosje.
Pas kthimit në rivendosje nga Gjykata e Apelit më 17 nëntor 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 dhjetor 2021 ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës të ushtruar nga mbrojtësi i të pandehurit Latifi dhe më pas më 23 dhjetor 2021, Apeli ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë për konfirmim të aktakuzës.
Në seancën e mbajtur më 25 korrik 2022, Bilalli kishte pranuar fajësinë, dhe ishte veçuar procedura ndaj tij, ndërsa Latifi ishte deklaruar i pafajshëm.
Për të akuzuarin Arben Bilalli, ish-drejtorin e Administratës të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), gjykata ka shqiptuar dënim prej 140 ditë burgim efektiv dhe 12 mijë euro gjobë.
Aktakuza e ngritur më 15 shtator 2021, ngarkon Luan Latifin se në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) dhe Arben Bilalli, në cilësinë e drejtorit të Administratës dhe Financave në KPM, gjatë qershorit 2021, kishin kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “Telkos”. /BetimipërDrejtësi