Edhe një javë pas fillimit të procesit mësimor, mbi 50% e nxënësve në komunën e Kaçanikut ende nuk janë pajisur me tekste shkollore, tha për KosovaPress, drejtori i Arsimit, Zahir Doda.
Sipas tij, prindërit po ankohen vazhdimisht se nuk po mund t’i gjejnë librat dhe sipas tyre kanë vështirësi të aplikojnë në platformën e-Kosova për rimbursim të mjeteve financiare.
“Me përqindje nuk mundem me të thanë, por jam i sigurt që as gjysma nuk i kanë marrë, as 50 për qind nuk janë (pajisur), sepse në fshatra kryesisht nuk janë pajisur gati fare, deri të premten po flas…Po ka sigurisht se i kanë ndërruar edhe në maj dhe qershor që e kanë bërë përzgjedhjen tash e kanë ndërruar krejt, kanë marrë libra çfarë ju kanë ardhur. Për shembull i kanë përzgjedh të Dukagjinit tash kanë marrë të Albasit. Tani ka këso vërejtje shumë se e kanë ndërruar komplet përzgjedhjen që ka qenë më herët”, tha ai përmes telefonit.
Sipas drejtorit të Arsimit, ka prindër që nuk po mund t’i gjejnë të gjithë librat e nevojshëm, e të tjerë që nuk po mund të aplikojnë online për rimbursim të mjeteve financiare.
“Kryesisht (ankesa) prej prindërve për shkak se nuk po mund t’i gjejnë të gjitha librat, për shkak që nuk po dinë të aplikojnë, kam raste. Për shembull një ditë, nuk dija as si t’i tregoja, është një biznes e ka aty në Kaçanik, tetovar i ka dy fëmijë aty, më thotë a kam mundësi të aplikoj disi, nuk dija as çfarë t’i thosha. Kështu që, këto janë telashet”, tha Doda.
Në Kosovë, mësimi ka filluar me datën 1 shtator.
Këtë vit, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka vendosur që prindërit t’i blejnë librat për fëmijët ndërsa shteti t’i rimbursojë mjetet financiare./KP