“Njohja de facto e Pavarësisë së Kosovës është hapi që do të çojë në normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës”.
Kështu ka deklaruar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyennë konferencën për shtyp në Beograd, duke shtuar se njohja de facto nënkupton edhe zbatimin e marrëveshjes së rënë dakord në Ohër.
Von der Leyen, në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, i është përgjigjur pyetjes së një gazetares për të sqaruar këtë çështje, pasi ajo kishte përmendur njohjen e de-facto të Pavarësisë së Kosovës një ditë më parë në Prishtinë.
Von der Leyen ka theksuar se ky veprim do të thotë se duhet të zbatohet Marrëveshja e Ohrit, e cila përfshin hapa të ndryshëm, duke përfshirë njohjen e dokumenteve dhe institucioneve të Kosovës nga Serbia, si dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Për çfarë bëhet fjalë – zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, i cili parasheh hapa të ndryshëm që përfshijnë njohjen e dokumenteve dhe institucioneve të Kosovës nga Serbia dhe çfarë shkon bashkë me themelimin e Asociacionit, që duhet të zbatohet nga Kosova”, ka deklaruar Von der Leyen
Ajo ka shtuar se ky veprim është parakushti i domosdoshëm për rrugën evropiane dhe do të hapë rrugën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Në anën tjetër, presidenti Vuçiq ka thënë se njohja e Pavarësisë së Kosovës nuk është çështje e Serbisë dhe se janë të gatshëm t’i përmbushin obligimet e tyre nga dialogu.
“Ne e dimë se cilat janë obligimet tona nga dialogu dhe jemi të gatshëm t’i përmbushim ato”, ka deklaruar Vuçiq.