Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij në Kuvend për Ditën e Pavarësisë, përveç urimit për qytetarët e nderimit të atyre që ranë e sakrifikuan për pavarësimin e Kosovës, përmendi edhe veprimet destabilizuese të Serbisë.
Kurti nisi fjalimin e tij duke kujtuar qëndresën e popullit ndër vite në “valët e njëpasnjëshme të pushtimeve e gjenocideve”.
“Koha e saj kishte ardhur më 1981 kur njerëzit mbushnin sheshet e i bënin ballë tankeve, duke thirrur Kosova Republikë. Kosova u bë republikë me Kushtetutë në Kuvendin e Kaçanikut. Për të u luftua me demonstrata e protesta paqësore dhe me pushkë lirie të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Kurti tha se më 2008 nuk kishte mbetur asnjë dilemë më te bashkësia e vendeve demokratike që Republika e Kosovës do të vinte.
Por, Kurti tha se ajo diskutohej të vinte në një trajtë të tillë “që ishte e pranueshme edhe për armikun më të madh të saj – shtetin serb që kishte dashur ta mbyste edhe idenë e shtetit të shqiptarit”.
“Të gjithë ne e kishim të qartë se në rast se Serbia shtetërore do të ishte ndie sadopak përgjegjëse për gjenocidin në Kosovë, nëse në politikën e saj do të kishte mbizotëruar arsyeja dhe jo revanshizmi shovenist, ajo do të duhej ta kishte njohur Kosovën qysh në vitin 2008. Republika e Kosovës garanton të drejtat më të gjerat për pakicat në rajonin tonë, posaçërisht për serbët që përfitojnë dhe kontribuojnë në shtetin tonë të përbashkët”.
Kurti përmendi edhe diskriminimin dhe spastrimin etnik të shqiptarëve në Luginë përmes pasivizimit të adresave.
“Ndërkaq, shqiptarët në Luginën e Preshevës janë pakica më e diskriminuar në Europë që edhe sot po i nënshtrohet spastrimit nëpërmjet të ashtuquajturit pasivizim të adresave. Është për keqardhje e fatkeqe që fqinji ynë verior ka zgjedhur rrugën e konfrontimit dhe të bllokimit të funksionimit të brendshëm të Republikës sonë dhe të njohjeve të saj së jashtmi”.
Kryeministri Kurti, para ambasadorëve që ishin prezentë në Kuvend, foli për refuzimin e Serbisë për të zbatuar marrëveshjen e fundit të arritur me Kosovën, si dhe veprimet e saj terroriste ndaj Kosovës.
Kurti tha se më 24 shtator 2023, Kosovës iu desh të jepte sërish dëshmor.
“Ajo fillimisht kishte refuzuar propozimin franko-gjerman e sot vazhdon të refuzojë nënshkrimin e marrëveshjes bazike për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovës që sjell fqinjësi të mirë europiane. Në vend të saj ajo madje përqafoi terrorizmin edhe aty dështoi me turp përballë heroizmit dhe profesionalizmit të policisë sonë. Mirëpo, për mbrojtjen e Republikës sonë prej terroristëve të financuar, ushtruar dhe drejtuar nga Serbia u desh që përsëri të jepnim dëshmor. Rreshteri Afrim Binjaku i shtohet pleadës së dëshmorëve tonë. Pa sakrificën sublime të tyre ne nuk do të përkujtonim sot përvjetorin e Republikës. Lavdi dëshmorëve! Republika kurrë nuk ju harron”.