Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afatit ligjor, do ta parashtroj kërkesën për paraburgim për të 20-vjeçarin i cili u arrestua dje nën dyshimin se ka shkaktuar një aksident derisa ishte duke bërë gara shpejtësie me një automjet tjetër.
Këtë për Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prizren, Fitore Mehmeti.
Ajo tha se E.K. dyshohet për veprat penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Rrezikimi i trafikut publik”.
“Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm, me urdhër të prokurorit ka ndaluar për 48 orë, personin me inicialet E.K., për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprat penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, dhe “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Brenda afatit ligjor, për të njëjtin prokuroria do të parashtroj kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.”
Policia e Kosovës dje ka njoftuar për arrestimin e të dyshuarit, duke thënë se ai duke bërë gara me një automjet tjetër ka aksidentuar një veturë, duke e lënë të lënduar shoferin.
I dyshuari tjetër, me të cilin ka qenë duke garuar 20-vjeçari, është në kërkim policor.
“Drejtoria rajonale e Policisë në Prizren me datën 06.02.2024 gjatë hetimit të një rasti aksident trafiku me lëndime i ndodhur 05.02.2024 rreth orës 20:40 në lagjen ‘’Dardania’’ në Prizren, përmes rrugëve operacinale ka gjetur prova të qëndrueshme se i dyshuari i cili ka shkaktuar këtë aksident trafiku përpos dëmeve materiale lëndime trupore kishte pësuar vozitësi i automjetit, i cili para shkaktimit të aksidentit të trafikut dyshohet se kishte qenë duke bërë gara shpejtësie me një automjet tjetër i cili është në kërkim policor. I dyshuari E.K. viti i lindjes 2004 pas identifikimit është arrestuar dhe intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Me urdhër të Prokurorit të shtetit i dyshuari ndalët në mbajtje për 48 orë dhe ndaj ti do të ngritët kallëzim penal për veprat penale ‘’Aksident trafiku me lëndime’’, ‘’Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’’ dhe ‘’Rrezikim i trafikut publik’’”, thuhet në njoftim.