Ka përfunduar seanca dëgjimore ndaj dy të dyshuarve për spiunazh, Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit.
Pas përfundimit të seancës, Besnik Berisha, avokat i Bedri Shabanit, ka thënë se Prokuroria nuk ka arritur të provojë se klienti i tij është i përfshirë në spiunazh.
“Prokuroria nuk ka arritur të argumentojë se dy qytetarët kanë spiunuar për Serbinë. Prokuroria rastin e Bedriut, ka dështuar, e ky është persekutuar”, ka thënë ai.
“Provat që i kanë gjetur nuk ndërlidhet me atë për çfarë ata janë sot në Gjykatë. Bedri Shabani është prind i kolegut të juaj e kolegut tonë, është prind i gjashtë fëmijëve, qytetar i ndershëm dhe përgjegjshëm. Ai i ka dajtë në Sarajevë dhe ka rezultuar se ka shkuar te dajtë e tij duke kaluar nga Serbia. Gjithashtu në Shtërpcë, ai ka pirë kafe me njerëz, qytetarë të komunitetit serb”, ka thënë ai.
Avokati e ka konfirmuar se klienti i tij është dëshmitar i Prokurorisë Speciale në Hagë.
“Është histori e njohur, nuk i ikë. Është dëshmitar i Prokurorisë në Hagë. Nuk është rast konfidencial, sepse nuk do e zbuloja këtu. Ai mendon se po persekutohet nga biznese të caktuara si rezultat i punës së tij. Sipas tij është dëshmitar në Prokurori, nuk e di për cilin rast sepse janë disa raste”, ka thënë Berisha më tutje.
Ndërkaq, avokati Ridvan Kajtazi, mbrojtës i Muharrem Qerimit, nuk është deklaruar për media pas përfundimit të seancës.
Gjykata nuk ka nxjerrë ende vendim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve, të cilën e ka propozuar Prokuroria Speciale.