Konjufca takohet me Kearns: Folëm për sulmin në Banjskë

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka njoftuar të shtunën se është takuar me Alicia Kearns, deputeten dhe Kryetaren e Komisionit për Punë të jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, e cila po qëndron për vizitë në Kosovë.

Konjufca ka njoftuar se deputeten Kearns e ka falënderuar për vizitën “që vjen si afirmim i bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve tona mike dhe aleate, në një partneritet ku përputhen në plotni linjat e veprimit, interesat dhe qëllimet e synuara”.

Po ashtu, kryeparlamentari ka thënë se në këtë takim kanë biseduar edhe për ngjarjet e fundit të Banjskës, ku “mora konfirmimin se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën do të vijojë të jetë e fuqishme”.

“Aktet e agresionit nga Serbia përmes grupeve terroriste nuk është kërcënim vetëm për Republikën e Kosovës, por vendos në pikëpyetje stabilitetin e të gjithë rajonit. Qëndrimi i prerë sot në emër të vlerave të demokracisë është sigurimi i paqes dhe përparimit të nesërm”, ka shkruar ai në Facebook.

Po ashtu, deputetes Kearns ka thënë se i ka shprehur mirënjohjen e tij edhe të Kosovës për mbështetjen e madhe të saj dhe të vendit të saj që “na ka qëndruar në krah në kohët më të vështira dhe në ato më të mirat”.

“Ritheksova se prania e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës si dhe në rajon është e një peshe të pazëvendësueshme për sigurinë, stabilitetin dhe përbën garanci ekuilibruese në dinamikat e aktualitetit të brishtë, siç edhe për një të ardhme me vizion të gjerë. Raportet mes dy vendeve tona janë shembullore dhe ne u pajtuam se forcimi i këtij bashkëpunimi në çdo fushë mbetet prioritet, ndërsa angazhimi ynë për këtë vazhdon të jetë i palëkundur”, ka përfunduar Konjufca.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *