Kryeministri Albin Kurti, sot në 16 vjetorin e pavarësisë, ka deklaruar se Republika e Kosovës “asnjëherë nuk ka qenë kaq e fortë e sigurt, e lirë dhe demokratike”, raporton Express.
Këtë deklaratë Kurti e ka bërë pas ceremonisë së ngritjes së Flamurit, me rastin e përvjetorit të pavarësisë.
Kurti tha se ky 16-vjetor e zë Kosovën me pasaportën e saj të fuqishme si asnjëherë më parë, duke mundësuar që qytetarët të lëvizin lirshëm në 35 vende.
“Gjithashtu, edhe në aspektin ekonomik e demokratik edhe në aspektin e sigurisë e të integritetit, mund të themi e duhet të themi që Republika jonë e përbashkët asnjëherë nuk ka qenë kaq e fortë e sigurt, e lirë dhe demokratike.
I bashkëngjitëm përkujtimit të presidentes edhe kryeparlamentarit për të gjithë heronjtë, dëshmorët, martirët, për ata të cilët u flijuan e sakrifikuan, punuan e u angazhuan për Republikën e Kosovës, për Pavarësinë tonë. Duke i përkujtuar ata, ne ia përkujtojmë vetes edhe çfarë çmimi të lartë kemi paguar për të mbërritur këtu, por njëkohësisht edhe rrugën të cilën do ta vazhdojmë, sigurisht, drejt integrimeve evropiane e euroatlantike, për çfarë një falënderim i veçantë u shkon partnerëve tanë, aleatëve tanë ndërkombëtarë që na mbështetën e na ndihmuan”, ka deklaruar Kurti.