Një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur në ambientet e një firme ku përpunohen inerte në fshatin Gurez të Kurbinit në Shqipëri.
Policia shqiptare ka bërë të ditur se njësitet përkatëse kanë shkuar në vendngjarje dhe është rrethuar zona ku po vijohet me kontrollin e territorit.
“Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se në ndihmë të policisë kanë shkuar edhe forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Forcat Speciale “Renea”.
Në raportin e policisë shqiptare thuhet se viktima, i moshës rreth 70-vjeç ishte ekonomist i firmës, ndërsa i plagosuri, i moshës rreth 51-vjeç ishte pronar.