Në platformën Telegram ekziston një faqe nacionaliste që përhap lajme pro Serbisë e kundër Kosovës dhe vendeve që janë kundër serbëve dhe politikave të tyre po ashtu nacionaliste.
Grupit të quajtur “Slovenski Medved” këtë herë i ka dalë punë me ministrin e Qeverisë së Kosovës për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Shkas u bë një konferencë e tij pas një takimi që pati me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës Ahmet Ismaili për cështjen e dinarit serb.
Veç pak orë pasi Rashiq doli dhe u bëri thirrje qytetarëve serb që jetojnë në Kosovë që të mos bien pre e lajmeve të rreme, ku po thuhet se do të mbyllen edhe institucionet shëndetësore e arsimore, admini i këtij grupi në Telegram bëri thirrje për vrasjen e tij.
“Ky zoti Nenad Rashiq duhet të likuidohet patjetër në rastin e parë. Sapo të krijohet mundësia”, shkruan në thirrjen e adminit që kontrollon këtë grup.
“Duhet të likuidohet patjetër në rastin e parë. Dhe mos mendoni shumë për fjalorin. Unë shkruaj ashtu siç mendoj dhe siç është e drejtë. Mundësia e parë – kokën larg shpatullave. Epo, Karadjordje nuk ishte budalla”, vazhdon teskti.
Krejt kjo erdhi pas një konference të ministrit Rashiq i cili dha tedaje nga takimi që pati me Guvernatorin e BQK-së në Prishtinë.
Rashiq ka thënë se Guvernatori ishte i qartë në shpjegimin e tij sa i përket anës teknike të implementimit të kësaj rregullore dhe dha shpjegime rreth vendimit për dinarin serb.
“Para se gjithash sa i përket BQK për të gjithë ata që nuk e kanë ditë, ekzistojnë dy mënyra të përdorimit të dinarit. I pari është që Banka Qendrore e Serbisë dhe ajo e Kosovës të zhvillojnë mes veti transaksion. Unë kam marr konfirmim nga z.Ismaili që ata sot do të kontaktojnë me Bankën Qendrore në Serbi, dhe që konvertimi i dinarit në euro do të jetë shumë i lehtë dhe shumë i zbatueshëm për ata që pranojnë pagesa në dinarë. E dyta, është mënyra tjetër që bankat që kanë përfaqësi këtu dhe në Serbi ta bëjnë kthimin e dinarit në euro direkt, dhe përdorimi të bëhet këtu”, tha Rashiq.
Rashiq bëri të ditur se ka zhvilluar takim edhe me kryeministrin Albin Kurti, të cilin e falënderoj për mirëkuptimin dhe gjetjen e mënyrës për implementimin dhe gjetjen e zgjidhjes sa i përket përdorimit të dinarit
“Gjatë takimit me Kurtin kemi biseduar edhe për gjëra tjera, dhe kemi ardhur në përfundim që kryeministri veçse e ka bërë publik. Kjo është një periudhë tranzicioni. Nga ana juridike dhe teknike mendoj që kjo është mënyra e duhur sesi duhet të vazhdojë. Nuk dua të hyjë në të kaluarën se përse ka ardhur deri te kjo, por më duhet të ndërlidhem prapë me këtë ne e kemi ditë që Banka Komerciale e cila ka qenë e vetmja që ka pasur licencë për operim në Kosovë do të mbyllet, këtë e kam ditur qysh në vitin 2022. Në shtator të vitit të kaluar kanë marrë informatën që do të mbyllen, dhe askush nga administrata e tyre nuk e kanë parë të udhës të ri aplikojë sërish për marrje të licencës për punë”, u shpreh Rashiq.
Ministri tutje u bëri thirrje qytetarëve serb që jetojnë në Kosovë që të mos bien pre e lajmeve të rreme, ku po thuhet se do të mbyllen edhe institucionet shëndetësore e arsimore.
“Dua ‘ju them të gjithëve posaçërisht punonjësve në këto institucione se diçka e tillë nuk do të ndodh, kam zotimin e kryeministrit për këtë dhe kjo do të thotë se ata munden lirisht të vazhdojnë me punën e tyre Në këso rrethanash shihet se lajmet e rrejshme janë ato që më së shpejti shpërndahen”, tha Rashiq.