Shoqata e Pensionistëve serbë ka thirrur për nesër në mesditë protestë në Mitrovicën e Veriut, për çështjen e dinarit, në përkrahje të Listës Serbe.
E, mundësia për skenarë të ndryshëm nga Serbia është e madhe.
Kështu vlerëson ish koloneli i FSK-së, Afrim Veseli për Gazeta Blic.
Ai thotë se pas mbledhjes së KS të OKB-së, Serbia do të bëjë skenarë me popullatën civile në Kosovë, për të pasqyruar rrejshëm kinse pasojat që ka vendimi për dinarin te ata.
“Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë të OKB-së lidhur me vendimin e BQK-së dhe kritika që mori Kosova për herë të parë në këtë forum nga aleatët, tani Serbia dhe institucionet e saj të inteligjencës do të organizojnë skenarë të ndryshëm me popullatën civile në mbarë Kosovën, për të pasqyruar rrejshëm se si ky vendim po ka pasoja për popullatën serbe në Kosovë”, thotë ai.
Ai rithekson se vendimi i pakoordinuar me aleatët mund të na sjell telashe dhe se për t’i shmangur ato, Qeveria duhet ta shtyjë vendimin.
“Lidhur me këtë në fillim të këtij muaji kam deklaruar se duhet të jemi tepër të kujdesshëm, sepse ky vendim i pakoordinuar me aleatët do t’i nxjerrë telashe vendit tonë. Mendoj se për të dalë jashtë rrezikut që do të ballafaqohemi, qeveria duhet ta pranojë këshillën e aleatëve për shtyrje për 4 muaj të këtij vendimi të hyjë në fuqi”, vlerëson Veseli.
Sipas tij, në të kundërtën, nga nesër do të nisin skenarët e Serbisë, duke filluar me protestën e nesërme.
“Në të kundërtën ata pra që nga nesër me këtë protestë do të fillojnë skenarë të ndryshëm, deri te ai gjoja largim masiv i serbëve nga Kosova me imazhe të kolonave të njerëzve, popullatës duke qarë, gjoja nga terrori i Kosovës ndaje tyre. Një vendim i mençur, i stopon 1000 skenarë të armikut”, deklaron koloneli në pension.