Katër komunat veriore janë zgjuar sot me grafite të reja me mesazhe nxitëse janë shfaqur në komunat veriore. Ato mbajnë autorësinë e organizatës terroriste “Brigada e Veriut”, e cila ka thënë se është ende gjallë. Këto mbishkrime po cilësohen si alarm për sigurinë e vendit dhe për ndërkombëtarët
“Kur ushtria kthehet në Kosovë” dhe “Brigada e Veriut jeton”, janë grafitet e reja serbe që kanë zënë vend gjithandej veriut të dielën.
Përveç Mitrovicës së Veriut, një numër i madh i tyre është parë edhe në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.
Këto grafite janë shfaqur një ditë para protestës së paralajmëruar nga serbët në Mitrovicë të Veriut dhe të mbështetur nga Lista Serbe.
Të hënën nga ora 12, ata do të mblidhen për të kundërshtuar vendimin e institucioneve të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit për pagesa me para të gatshme.
Rikthimi i grafiteve, për ekspertin e sigurisë Nuredin Ibishi nënkupton po ashtu rikthim të organizatave që u shpallën terroriste në Kosovë.
“Realiteti është që Brigada Veri dhe Mbrojtja Civile ende janë në teren dhe mundësia për ndonjë tensionim akoma mbetet. Vuçiqi vazhdon të mbetet agresiv jo vetëm në oratori por edhe duke përgatitur grupe terroriste që mund të infiltrohen brenda Kosovës”, ka thënë Ibishi.
Këto grafite që bartin ngjyrat e flamurit të Serbisë duhet të jenë alarmi i fundit për institucionet vendore e ndërkombëtare, thotë njohësi i çështjeve politike, Fidan Ukaj.
Ai kërkon që palët të kthehen në tavolinën e diskutimit, pasi sipas tij, dalja në skenë e këtyre problemeve po pamundëson një gjë të tillë.
“Këto grafite tregojnë se grupi që iku në drejtim të Serbisë mund të ketë elementë të tyre se janë rikthy. Po ashtu është alarm për faktorin ndërkombetar siç janë KFORI dhe duhet të jetë alarm në adresë të faktorit ndërkombëtar që grupi që shkoi në drejtim të Serbisë duhet kapet e të dal para drejtësisë e jo të mbrohet nga Vuçiqi”, ka deklaruar Ukaj.
Në qershor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës i shpalli si organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”.
Grafite të tilla janë shkruar me vite nëpër rrugët e komunave veriore.