Bislimi akuza Prokurorisë se po hesht për Banjskën – i kemi përfunduar hetimet edhe ne, edhe një shtet mik

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar mbrëmë se një shtet aleat “shumë i fuqishëm” i ka përfunduar hetimet lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, por s’ka treguar se për cilin vend bëhet fjalë, raporton Express.

Bisilimi ka drejtuar akuza ndaj Prokurorisë Speciale, duke thënë se po hesht për Banjskën, duke shtuar se një prokuror po u pamundëson që të kërkojnë hapa ndërkombëtarë.

“Ne i kemi përfunduar hetimet, i ka përfunduar edhe një vend mik shumë i fuqishëm. Por, ja që ne nuk po e përkthejmë përfundimin e hetimeve në vendime. Rrjedhimisht, nuk kemi kërkesë nga prokurorët tanë për ekstradim të kriminelëve si Radojiçiqi dhe shokët e tij. Kjo neve na vë në defansivë.  Si mund të kërkoj unë angazhim më të madh psh nga Bruksel, kur ky angazhim mungon në Prishtinë. Kur Prokuroria në Kosovë heshtë e nuk thotë na e ekstadoni Radojiçiqin se koha po shkon dhe sa më shumë që ai rri në Kapaonik, ka më tepër rrezik për përsëritje…Është një prokuror…Unë po them që ky prokuror, i cili është dashur të na paraprijë neve me argumente po na lë mbrapa, për arsye se nuk po hap rrugë për me thënë ja hetimet kanë përfunduar, ne po kërkojmë ekstradimin e z.Radojiçiq…”, ka thënë Bislimi.

Sipas Bislimi, Bashkimi Evropian nuk ka kurrfarë dileme për atë çfarë ka ndodhur në Banjskë, por se ka spekulime për qëllimin e sulmit.  

“Ne kemi dërgu informacionet tona, kemi mbajtë sesione informative në Bruksel . Nuk ka kurrfarë dileme askush për atë çka ka ndodhë në Banjskë. Ka dilemë për arsye se janë spekulime se cili ka qenë qëllimi final. A ka qenë qëllimi final aneksimi i veriut, a ka qenë qëllimi final krijimi i viktimave civile, pastaj kishin me ba veriun prapë një zonë el dorado ku Vuçiqi mundet me i pastru paratë e tij tutje, për këtë mund të ketë spekulime. Por për përzierjen e tij, për armatosjen nga Serbia, për pikat logjistike që është dashur të merren në kontroll, nuk ka kurrfarë dyshimi”, ka thënë Bislimi.

Bislimi ka thënë se do të ishte e papërgjegjshme që Kosova të kërkonte përmes aleatëve seancë të Këshillit të Sigurimit për Banjskën, pa përfundimin e hetimeve.

“Kur ka ndodh Banjska, është kërkuar që të përfundojnë hetimet për të parë se në ç’masë ka qenë përgatitja ushtarake para sulmit, cili ka qenë qëllimi final i sulmit dhe sa shkon ai zingjiri i ndërhyrjes lart deri në nivelet qeverisësë të Serbisë. Rrjedhimisht, kishte me qene e papërgjegjshme me kërku ndonjë seancë të Këshillit të Sigurimit ku ne pastaj folim me spekulime, ne mendojmë se është Serbia. Serbia e bën këtë se Serbia politikën e jashtme e ka të ndërtuar mbi gënjështra e manipulime, por ne mendoj që jemi duke ndërtuar shtetësinë mbi bazament tjetër. Edhe ne kemi pritur që të përfundojnë hetimet”, ka deklaruar ai në KTV.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *