Macron: Vuçiq t’i dënojë prerazi aktet e 24 shtatorit, më pas zgjedhjet në veri dhe Asociacioni

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq duhet “ti dënojë prerazi aktet e 24 shtatorit” për ta rikthyer qetësinë në kufi.

Macron në një konferencë të përbashkët për media së bashku me kryeministrin shqiptar, Edi Rama në Tiranë tha se më pas presin riorganizimin e zgjedhjeve në veri, kthimin e serbëve në institucione dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne i ndjekim me shumë vigjilencë tensionet që ekzistojnë mes Prishtinës dhe Beogradit. Franca dhe Gjermania kanë bërë një propozim udhërrëfyes që unë mendoj se është i fortë dhe i mirë dhe presim që të respektohet nga të dyja palët”, tha fillimisht Macron.

“Mendoj se është përgjegjësi e z. Vuçiq që t’i dënojë prerazi aktet e 24 shtatorit sepse kontribuon në rikthimin e qetësisë në kufi dhe më pas, etapat e ardhshme dhe ajo çka presim nga autoritetet kosovare dhe serbe është e thjeshtë: riorganizimi i zgjedhjeve në komunat ku këto u bënë në kushte të papërshtatshme, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje dhe në institucioneve, njohjen e Asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare, kësaj radhe plotësisht dhe totalisht”, theksoi presidenti francez.

“Pres që presidenti Vuçiq të jetë i përgjegjshëm. Pres të njëjtën gjë nga presidentja dhe kryeministri kosovar”, tha Macron.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *