Policia e Kosovës gjatë kësaj jave ka arrestuar dy persona të dyshuar të cilët kërkoheshin me urdhër-arrest ndërkombëtar.
Siç bëhet e ditur në një komunikatë për media nga Policia, bëhet fjalë për një shtetas të Kosovës dhe një shtetas të Gjermanisë.
P.J. i lindur më 1986 është i arrestuari kosovar. Ai kërkohej nga një shtet evropian, përmes Interpolit, ka thënë Policia.
Ndërkaq i arrestuari i dytë është shtetasi gjerman me inicialet D.S., i lindur më 1992.
Dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe më pas do të vazhdohet me procedurat e parapara për raste e tilla, ka thënë Policia.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha dukurive të kundërligjshme në vend përfshirë edhe forcimin e bashkëpunimit policor në rrafshin ndërkombëtar”, thuhet në komunikatë.