Analiza: A po shkon SHBA drejt një marrëveshje me Izraelin dhe Hamasin?

Izraeli, Hamasi dhe Shtetet e Bashkuara janë afër një marrëveshjeje paraprake për të liruar dhjetëra gra dhe fëmijë pengje në Gaza në këmbim të një pauze pesë-ditore në luftime.

Kështu raporton Washington Post, duke cituar disa burime, sipas të cilave lirimi i pengjeve duhet të fillojë në ditët në vijim.

Sipas marrëveshjes prej gjashtë faqesh, të gjitha palët zotohen të ngrijnë operacionet luftarake për të paktën pesë ditë, ndërsa 50 ose më shumë pengje lirohen në grupe çdo 24 orë. Mbikëqyrja ajrore do të monitorojë lëvizjet në terren.

Por Shtetet e Bashkuara thanë se po punonin ende për të siguruar një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit.

“Ne nuk kemi arritur ende një marrëveshje, por ne vazhdojmë të punojmë shumë për të arritur atë,” tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë Adrienne Watson në X, në përgjigje të një raporti të Washington Post se kishte një marrëveshje paraprake.

Vendimi për të pranuar marrëveshjen është i vështirë për Izraelin, tha një person i njohur me situatën, i cili, si të tjerët, foli në kushte anonimiteti. Ndërsa ka presion të fortë të brendshëm ndaj Netanyahut për të sjellë pengjet në shtëpi, ka gjithashtu zëra në Izrael që kërkojnë që qeveria të mos negociojë për lirimin e tyre.

Në komentet publike, Izraeli ka mbetur i palëkundur, ndërkohë që ka pranuar presionin nën të cilin ndodhet.

Të premten, kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare izraelite Tzachi Hanegbi tha për gazetarët se kabineti i luftës kishte rënë dakord unanimisht se një armëpushim i kufizuar mund të ndodhte vetëm pas “një lirimi masiv të pengjeve tanë … dhe do të jetë i kufizuar dhe i shkurtër, sepse pas kësaj ne do të vazhdojmë të punojmë drejt arritjes së qëllimeve tona të luftës”.

Ndërsa të shtunën, Netanyahu tha se ofensiva do të vazhdonte, edhe pse ai tha se do të lejonte furnizimin me karburant në Gaza. Teksa Izraeli ka ndjekur ofensivën e tij në Gaza, ai ka ndërprerë të gjitha dërgesat, edhe ato bazike si: ushqimi, uji, karburanti dhe ilaçet nga të cilat varen 2.3 milionë banorë që po luftojnë për mbijetesë.

“Që mbështetja ndërkombëtare të vazhdojë, ndihma humanitare është thelbësore. Për shkak të kësaj, ne pranuam rekomandimin për të sjellë karburant në Gaza”, tha Netanyahu.

Ndërkohë, bilanci i viktimave nga lufta në Gaza sa vjen edhe thellohet. Zyra për media e qeverisë njoftoi se numri i palestinezëve të vrarë nga agresioni i vazhdueshëm izraelit në enklavën e rrethuar ka kaluar mbi 12 000.

“Viktimat përfshijnë më shumë se 5 000 fëmijë dhe 3 300 gra, ndërsa 30 000 të tjerë janë plagosur”, thuhet në deklaratë.

Sipas njoftimit, rreth 3 750 persona të tjerë mbeten të pagjetur, përfshirë 1 800 fëmijë.

“Pushtimi izraelit ka kryer 1 270 masakra. 200 mjekë, 22 personel të mbrojtjes civile dhe 51 gazetarë u vranë gjithashtu nga sulmet. Agresioni izraelit ka detyruar 25 spitale dhe 52 qendra të kujdesit shëndetësor të ndërpresin punën, ndërsa 55 ambulanca janë shënjestruar nga forcat izraelite”, thuhet gjithashtu në deklaratë.

Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që prej një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.

Mijëra ndërtesa, duke përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar dhe shkatërruar në ofensivën izraelite.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *