Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se janë rritur vlerat e prezencës së manganit në ujin e liqenit të Badocit, derisa ka shtuar se po vazhdon monitorimi dhe përcjellja e cilësisë.
IKSHPK nëpërmjet një njoftimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se s’ka vend për panik, derisa ka përsëritur thirrjen që uji të mos përdoret për pirje, por vetëm për pastrim dhe mirëmbajtje të higjienës.
“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njofton popullatën se është duke vazhduar monitorimi dhe përcjellja në vazhdimësi e cilësisë së ujit në Liqenin akumulues të Badocit, të destinuar për pije dhe se nuk ka vend për panik. Analizat e fundit laboratorike tregojnë akoma vlera më të larta se niveli maksimal i lejuar i manganit në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës, sipas standardeve të parapara në Udhëzimin administrativ nr. 10/2021 -Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu”, thuhet në njoftim.
IKSHPK-ja shtoi se zonat të cilat mbesin në përcjellje të vazhdueshme për cilësinë e ujit për pije mbesin të njëjta.