Një vajzë pesëvjeçare dhe një grua në të 30-tat janë lënduar seriozisht dhe tre tjerë po ashtu kanë marrë plagë në një sulm me thikë në qendër të Dublinit, raporton BBC.
Një vajzë tjetër gjashtëvjeçare dhe një djalë pesëvjeçar po ashtu ishin në mesin e të plagosurve.
Sulmi ndodhi në afërsi të një shkolle, rreth orës 13:40 me kohë lokale.
Skena të dhunshme pasuan në afërsi të vendit ku ndodhi sulmi, pasi disa protestues u mblodhën.
Një burrë në të 40-tat po dyshohet për sulmin, ka thënë policia. Ai po trajtohet pasi po ashtu ka marrë lëndime serioze.
Policia ka thënë se nuk janë duke kërkuar për ndonjë të dyshuar tjetër momentalisht.
Motivet e sulmit nuk janë bërë të qarta.
Por, të enjten pasdite, policia është dashur të përdorë shkopinj pasi një turmë e njerëzve u mblodh rreth vendit të ngjarjes dhe dëmtoi një numër të veturave policore.
Kryeministri irlandez Leo Varadkar ka thënë se janë vendosur forca shtesë policore. Ndërsa komisari i policisë, Drew Harris, ka fajësuar për dhunën “huliganët e çmendur”, të cilët u përfshinë në këtë ngjarje ndërsa policia tentoi ta mbante paprekur vendin e krimit.
“Ne po kërkojmë nga njerëzit që të sillen me përgjegjësi. Të mos dëgjojnë dezinformata e spekulime që po ka në rrjete sociale. Ne e dimë çfarë ka ndodhur, por motivi është tërësisht i paqartë”, ka thënë Harris.
Në konferencë për media më herët të enjten, Liam Geraghty nga policia irlandeze tha se një vajzë është në emergjencë me lëndime serioze, ndërsa një vajzë tjetër gjashtëvjeçare dhe një djalë pesëvjeçar kanë marrë lëndime më të lehta.