Një vajzë i ishte drejtuar organeve të ndjekjes me shqetësimin se në një grup online në një rrjet social i ishin shpërndarë fotografi intime, por edhe të dhëna të tjera personale duke përfshirë kontaktet e saj me emër e mbiemër.
KALLXO.com ka arritur që të siguroj dosjen e hetuesisë në lidhje me këtë rast.
Më 14 janar, gjatë ditës, një 18 vjeçar nga Prizreni me inicialet L. B., dyshohet se përmes telefonit të tij fillimisht kishte kërkuar nga një vajzë që të kryente disa veprime sipas dëshirës së tij, por që e njëjta nuk kishte pranuar.
Sipas dosjes refuzimi i vajzës për të kryer veprime çoi deri te kërcënimi ndaj saj nga i dyshuari L. B., se do t’i publikonte apo shpërndante fotografi të së njëjtës si dhe të dhëna të tjera personale.
Dosja thotë se vajza nuk i ishte bindur kërkesave të 18 vjeçarit dhe më pas ky i fundit kishte publikuar fotografi të viktimës në rrjetin social “Telegram”, konkretisht në një grup në të cilin ishin të anëtarësuar rreth 80 mijë persona në atë kohë. Aktualisht grupi ka rreth 100 mijë persona.
Kur vajza kishte kuptuar këtë çështje menjëherë i ishte drejtuar organeve të rendit të cilët kishin nisur edhe të trajtonin ngjarjen e cila përfundoi me arrestim më 5 shkurt.
Ekipet e hetuesisë kibernetike kishin arritur që të siguronin prova të shumta materiale që pretendohet se ishin veprime të kundërligjshme të kryera nga i dyshuari L. B., dhe me këto veprime dyshohej se kishte kryer veprën penale të fotografimit e incizimit të paautorizuar.
I dyshuari ishte arrestuar nga policia dhe ishte ndaluar më 5 shkurt, ndërsa një ditë më vonë prokuroria kishte kërkuar që i njëjti të paraburgosej.
Në dosjen që ka siguruar KALLXO.com, thuhet se provat që janë siguruar duke përfshirë edhe deklaratat e viktimës dhe të dyshuarit, janë edhe të dhënat që janë pranuar nga operatorë telefonik, të dhënat për hyrje-dalje në pika kufitare, CD e DVD që sipas Prokurorisë vërtetojnë se i dyshuari ka kryer vepër penale.
Prokuroria ka pretenduar se nëse nuk caktohej masa e sigurisë ekziston rreziku që 18 vjeçari të arratiset apo të ndikojë në rrjedhën e hetimeve duke ndikuar te bashkëkryerësit e tjerë.
Policia e Kosovës konkretisht krimet kibernetike janë duke punuar intensivisht sipas dosjes në identifikimin e rasteve të ngjashme.
Në dosje përmendet se i dyshuari nëse do të ishte i lirë do të ekzistonte rreziku që të shkatërronte provat materiale të cilat mund të jenë relevante për rastin.
Në raporte të ndryshme policore, dhjetëra raste janë të raportuara për fotografim apo incizim i paautorizuar.
Gjithashtu të shumta janë rastet që identifikohen se të dyshuar të ndryshëm kanë publikuar fotografi të partnereve apo viktimave të ndryshme në rrjete sociale.