Blerim Isufaj i ka hyrë edhe garës për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale, teksa emri i tij për Kryeprokuror të Shtetit i ka shkuar për të dytën herë në tavolinë presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, ndonëse kjo e fundit kishte refuzuar ta dekretojë me 17 tetor, duke e konsideruar procesin e përzgjedhjes si të korruptuar.
Një burim brenda KPK-së i ka thënë Albanian Post se pos Isufajt, në ulësen e Kryeprokurorit synojnë të ulen edhe tre prokurorë të tjerë.
“Kandidatë për Kryeprokurorë të Prokurorisë Speciale janë Blerim Isufaj, Valdet Gashi, Florije Shamolli dhe Atdhe Dema”, tha ky burim brenda KPK-së.
Megjithatë, edhe pse gara për Kryeprokuror është mbyllur të premten e 3 nëntorit, ky burim sqaron se mund të ketë edhe kandidatë të tjerë që emrat e tyre i kanë dërguar përmes postës elektronike.
“Sigurisht se mund të ketë edhe kandidat tjerë për të cilët duhet të pritet dita e hënë, sepse aplikimi mund të bëhej edhe përmes postes elektronike”, theksoi burimi brenda KPK-së.
Ndërkaq gara për kryeprokuror është mbyllur edhe për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe siç merr vesh AP kanë konkurruar dy prokurorë.
“Për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë kanë aplikuar deri të premten e 3 nëntorit, Fitore Sadiku dhe Zejnullah Gashi”.
Në krye të PSRK-së, aktualisht qëndron Isufaj, ndërsa në atë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.
Që të dy shin zgjedhur në këto pozita më 23 dhjetor të vitit 2019 me shumicë të votave të anëtarëve të KPK-së.
Ndërsa për zgjedhjen e kryeprokurorëve në Speciale, KPK ka caktuar anëtarët Jetish Maloku, Ardian Hajdaraj, Besim Kelmendi, Arian Gashi dhe Agron Beka.
Kurse, në Komisionin Vlerësues për Zgjedhjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, KPK ka zgjedhur Jetish Maloku, Ariana Shajkovci, Merita Bina-Rugova, Jehona Grantolli dhe Ardian Hajdaraj.
Më 1 nëntor, AP pati raportuar ekskluzivisht se emri i Isufajt i është dërguar presidentes Osmani për dekretim për Kryeprokuror të Shtetit.
Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes, pati theksuar pse e kanë pranuar një letër nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, por nuk kishte treguar se çfarë përmban dokumenti.
“Ka ardhur një letër nga zotëri Maloku, sapo ta shohim ju njoftojmë”, kishte potencuar Kupina.
Në garë për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, përveç Blerim Isufajt, kanë qenë edhe Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.
Më 20 prill të këtij viti, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në seancën plenare, një ditë pas arrestimit të Kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqit, nën dyshimin për keqpërdorime në disa tenderë, kishte “sulmuar” Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Për Isufajn, Kurti pati thënë se nuk e ka të fituar në Gjykatë asnjë rast dhe i njëjti po dëshiron të bëhet Kryeprokuror i Shtetit.