Policia e Kosovës ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me rastin e 4-vjeçarit nga fshati Raskovë e Obiliqit, që u gjet dje i vdekur në lumin Llap në Obiliq.
Në raportin 24 orësh thuhet se rreth orës 20:30 në lumin Llap është gjetur viktima pa shenja jete.
“HETIM MBI VDEKJEN/Fsh.Raskovë-Obiliq,13.10.2023-18:15. Është pranuar informata lidhur me dyshimet për rënien në lumë të një fëmije rreth katër vjeçar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të cilat kanë marrë të gjitha veprimet e mundshme për të gjetur fëmijën. Janë informuar institucionet përkatëse, si njësitë brenda policisë për kërkim shpëtim, FSK dhe në vendin e ngjarjes ka qenë edhe ndihma e shpejtë. Rreth orës 20:30 në lumin Llap është gjetur viktima pa shenja jete”, thuhet në raportin e PK-së.
Sipas Policisë me vendim të prokurorit kujdestar trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML –Prishtinë për obduksion.