Policia e Kosovës, të hënën ka marrë vendim që t’ju ofrojë mbrojtje të afërt policore kreut të PDK-së, Memli Krasniqi, atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe politikanë tjerë të subjekteve politike parlamentare.
E në lidhje me këtë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se asnjëherë nuk është ndjerë i kërcënuar edhe kur kanë rrjedh informacione për vrasje.
Krasniqi këto komente i bëri pas takimit që zhvilloi me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
I pari i PDK-së, tha se ky vendim rrjedh nga një vlerësim i organeve të sigurisë që lidhet me situatën e tensionuar në veri.
“Nuk jam ndjerë asnjëherë i kërcënuar edhe kur na ka rrjedh informacion për kërcënime me vrasje edhe para pak muajsh. Por ka qenë vlerësim i organeve të sigurisë që të na ofrojnë mbrojtjen e afërt, për arsye besoj që ata duhet të tregojnë, besoj që lidhet me situatën e tensionuar dhe të përkeqësuar pas sulmeve në veri të vendit”, ka thënë Krasniqi.
Ndryshe, Telegrafi merr vesh se drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, e ka njoftuar opozitën se mund të jenë cak i sulmeve të caktuara.
Andaj për këtë, është rekomanduar mbrojtja e afërt.
“Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi dhe politikanë tjerë shqiptarë në këtë kohë të brishtë sigurie, sidomos pas sulmit terrorist në Banjskë, kanë qenë target i grupeve të dyshuara terroriste nga Serbia, andaj Policia ka vendosur të shtoj mbrojtjen e afërt”, thotë burimi.
Javë më parë Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kishin vlerësuar se rreziku potencial për sulme apo aktivitete të tjera kundër rendit ligjor e kushtetuese ekziston ende.