I dënuar me burg të përjetshëm për vrasje, shqiptari kapet në Korenë e Jugut

50-vjeçari E.SH. është kapur dhe arrestuar në Korenë e Jugut. Ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit në Tiranë, për vepra të rënda penale, përfshirë vrasjen.

Ai në kohë të ndryshme të vitit 1995, duke përdorur armë të ftohta (thika), ka vrarë dhe plagosur shtetas që punonin taksistë.

Nga informacionet dhe verifikimet rezultoi se shtetasi E.SH. përdorte identitetin e një shtetasi tjetër shqiptar, për t’iu shmangur arrestimit, shkruan EuroNews.al.

“Në kuadër të operacionit ‘INFRA ATLAS’ dhe si rezultat i shkëmbimit të inteligjencës policore, ndërmjet Drejtorisë së Interpolit, Interpol Seulit dhe Sekretariatit të Përgjithshëm të Interpolit, u finalizua operacioni policor i koduar “Suporti”, gjatë të cilit u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin, i shtetasit E.SH., 50 vjeç”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit në Tiranë, e ka dënuar me burgim të përjetshëm për veprat penale “Vjedhja me dhunë me pasojë vdekjen”, “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *