Analisti serb: NATO po rrit numrin e trupave të KFOR-it jo për shkak të kërkesave, por për shkak të sjelljes së Serbisë

Pas sulmit terrorist në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, gjithnjë e më shpesh dëgjohen kërkesa për shtimin e trupave të KFOR-it në Kosovë, sidomos në zonat serbe. 

NATO tashmë ka miratuar dërgimin e forcave shtesë në Kosovë, nga kontingjenti i Britanisë së Madhe, por se kjo nuk ka ndodhur për shkak të kërkesës së zyrtarëve serbë.

Politologu dhe analisti serb, Ognjen Gogiq thekson se NATO po dërgon forca shtesë, por kjo nuk po ndodh për shkak të kërkesës së palës serbe që KFOR-i të rrisë numrin e pjesëtarëve të tij dhe të kujdeset për sigurinë në veri të Kosovës, por për shkak të sjelljeve të Serbisë. 

“NATO ka miratuar tashmë dërgimin e forcave shtesë në Kosovë, të cilat do të vijnë nga Britania e Madhe. Rritja e pranisë së KFOR-it sigurisht që do të ndodhë, por kjo nuk do të ndodhë për shkak të kërkesave të Serbisë, por për shkak të sjelljes së saj. Një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, e cila vendos për vendosjen e trupave të NATO-s në Kosovë, ka një pikëpamje të ndryshme për situatën e sigurisë në Kosovë nga Beogradi. Tani perceptohet se pala serbe ka potencial për të kërcënuar sigurinë në Kosovë. Pa mëdyshje konsiderohet se fajtor për incidentin e armatosur në Banjskë është formacioni i armatosur i Milan Radoiçiqit, ndërsa ditët e kaluara kryeqytetet perëndimore kërkuan që Serbia të largojë forcat e saj ushtarake nga vija administrative. Në anën tjetër, është konfirmuar se të gjitha aksionet e policisë së Kosovës janë kryer në bashkëpunim me forcat ndërkombëtare që janë prezente në terren”, thotë Gogiq.

Ai thekson se e gjithë kjo tregon se Quinti nuk e ndan mendimin e Beogradit se njësitet speciale të Policisë së Kosovës janë fajtorë për përkeqësimin e fundit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës dhe se ato duhet të tërhiqen dhe të zëvendësohen nga forcat ndërkombëtare.

“Konsiderohet se Beogradi është përgjegjës për situatën ose duke provokuar qëllimisht incidente ose duke dështuar të kontrollojë pjesën e shërbimeve të tij të sigurisë që e bëjnë këtë. KFOR-i nuk do të marrë përsipër administrimin e veriut të Kosovës në vend të institucioneve të Kosovës, por do të mbështesë veprimet e tyre. KFOR-i në të njëjtën kohë asnjëherë nuk e ka pasur në Kosovë atë rol që tash po kërkon Beogradi ta marrë në veri të Kosovës”, nënvizon ky politolog.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *