Gazeta Neutral, në fillim të këtij viti ka raportuar ekskluzivisht se si Gëzim Tosuni, nip i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi ishte emëruar në mënyrë të jashtëligjshme si profesor i asociuar në Universitetin publik “Kadri Zeka” në Gjilan.
Serisë të pjesës së parë të raportimit “Çka bën daja për nip”, Neutral ja bashkëngjet edhe pjesën e dytë të “rehatimit” të nipit të Bislimit.
Nuk është herë e parë që nipi i Besnik Bislimit kapet në flagrancë duke kryer shkelje të rregulloreve dhe ligjeve.
Burimet e Gazetës Neutral, bëjnë të ditur Tosuni, i cili figuron në listën e Stafit të Rregullt Akademik në Fakultetin Ekonomik, është zgjedhur profesor ende pa e nostrifikuar diplomën.
Ndryshe, Tosuni edhe në vitin 2016, ai ishte gjetur në konflikt interesi nga Agjencia Kundër Korrupsion. Ky institucion kishte vlerësuar se Tosuni përveç që mbante pozitën e Dekanit të Fakultetit Ekonomik në Gjilan, figuronte si person i autorizuar në dy biznese private.
Sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, kjo situatë paraqet konflikt interesi dhe mos pajtueshmëri në ushtrimin e funksionit publik. Pasi AKK-ja kishte hapur rastin ndaj tij, Tosuni ishte detyruar të jap dorëheqje nga pozita e Dekanit të Fakultetit Ekonomik për të shmangur konfliktin e interesit.
Ndryshe, Tosuni, në vitin 2021 ishte emëruar si anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) dhe për më shumë se shtatë muaj kishte bërë shkelje të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, duke qenë paralelisht edhe anëtar në Këshillin Shtetëror për Njohje të Diplomave në NARIS/MASHT. Këtë e kishte konstatuar Agjencia Kundër Korrupsionit, institucion që ka obliguar Tosunin të dorëhiqet nga njëra pozitë. Për t’iu shmangur konfliktit të interesit, Tosuni kishte dhënë dorëheqje nga Këshilli për Njohjen e Diplomave, një organ brenda Ministrisë së Arsimit në të cilin e kishte ushtruar rolin e anëtarit.