Nol Nushi nga Partia Socialdemokrate ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti pasi sipas tij, i njëjti ka hy në dialogun me Serbinë, pa plan dhe pa asnjë zgjidhje.
Kjo sipas Nushit është problematike pasi siç tha ai, kryeministri dhe partia e tij patën fituar në zgjedhje mbi 50 për qind të votave pa asnjë plan për dialogun.
“Është problem çysh Kurti ka hy në dialog pa zgjidhje. Është problem me shku ti, në zgjedhje i ka fitu Kurti 50 për qind, nuk ka pasë asnjë plan për dialog. A ju kujtohet ka thënë prioriteti numër shtatë, a është e vërtetë kjo, cili qytetar i Kosovës mendon që dialogu i Kosovës është prioriteti i shtatë i kësaj Qeverie”, tha Nushi në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Derisa ka thënë se duke filluar nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani e deri te ministrat e Qeverisë Kurti sot janë të përfshirë në çështjen e dialogut. Madje sipas tij, kjo çështje edhe i ka shpëtuar ata nga “mospuna fatale”.
“Sot i ki Besnik Bislimin full i angazhuar në dialog, presidentja fol veç për dialog, Kurti mirret veç me dialog, Donika Gërvalla merret veç me dialog, edhe me ato gabimet fatale në Twitter. Ministrat tjerë janë të shukatur dhe kjo besoj zatën i ka shpëtu nga mospuna fatale që janë tu e bë. Cila është tema tjetër në Kosovë, njerëzit po e presin 1 janarin me ikë prej këtu, sepse jemi të kurthumë në një problem që po i kontribojmë edhe vet, tu mos dashtë me zgjidh sepse populizmi funksionon përmes gjendjeve të jashtëzakonshme, mobilizuese të luftërave dhe kjo është fatale për shoqërinë tonë”, shtoi ai.