Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka bërë sot shpërndarjen e policave të sigurimit për klubet e Superligës dhe Ligës së Parë për vitin e dytë.
FFK njoftoi se “Shpërndarja është bërë në selinë e FFK-së nga presidenti Agim Ademi, nënkryetari Agim Dibrani dhe anëtari i KE-së, Agim Nura, e ku të pranishme kanë qenë edhe përfaqësueset e kompanisë Sigal”.
Ademi vlerësoi se “në vitin e parë ky projekt ka rezultuar tejet i suksesshëm. Në bazë të bisedave me futbollistët dhe analizës në terren, futbollistët janë ndjerë më të sigurt gjatë ndeshjeve të futbollit, duke e ditur se në rast lëndimi, ata mund të shërohen pa shpenzuar fare”. Ndër të tjera i pari i FFK-së përmendi shumën prej 159.414 euro që kanë kushtuar shpenzimet e futbollistëve, të cilët e kanë përdorur sigurimin shëndetësorë në vitin e parë.
Nga njoftimi i lëshuar nga faqja zyrtare e FFK-së, u bë e ditur se kontratat janë të njëjta ashtu siç është edhe mbulueshmëria. Kontratat aktuale janë të vlefshme deri më 30 shtatori, kurse nga 1 tetori llogaritet fillimi i vitit tjetër.
Përfaqësuesit e klubeve u shprehën mirënjohës dhe të lumtur për këtë projekt, të cilin e vlerësuan si tejet të suksesshëm dhe të rëndësishëm si për klubet ashtu edhe për futbollistët. Të gjithë ata futbollistë të cilët i janë nënshtruar intervenimeve por nuk kanë pasur polica sigurimi, do ta gëzojnë të drejtën e plotë të rimbursimit të mjeteve.