Përurimi i Linjës së 10 hekurudhore, Kurti: Do ta vazhdojmë deri në kufirin verior të Kosovës

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka bërë të ditur se bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe disa kolegë të tij ministra kanë bërë inaugurimin e rihapjes së tuneleve T6 dhe T7, njëri me gjatësi 262 dhe tjetri 122 metra, si pjesë e linjës hekurudhore Hani i Elezit-Fushë Kosovë.

Duke e cilësuar këtë si një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe një çast vendimtar për hekurudhën në Republikën e Kosovës, kryeministri, Albin Kurti, tha se kjo linj hekurudhore do të vazhdohet deri në Mitrovicëë e më pas deri në kufirin verior të Kosovës.

“Sot po e shënojmë një çast vendimtar për hekurudhën në Republikën e Kosovës. Po e përurojmë rindërtimin e linjës 10 që e lidh Hanin e Elezit me Fushë-Kosovën. Po rihapim në veçanti dy tunele — njëri me gjatësi 262 metra dhe tjetri me gjatësi 122 metra — që kanë qenë të shembur tërësisht. Mbi 164.5 milionë euro është vlera e punimeve vetëm në këtë segment të linjës 10, nga kufiri me Maqedoninë e Veriut deri në Fushë-Kosovë. Mbi 200 milionë euro është vlera e punimeve që planifikojmë në segmentin e mbetur, nga Fushë-Kosova në Mitrovicë dhe nga Mitrovica në kufirin verior të Republikës së Kosovës”, tha Kurti.

Ai shprehu mirënjohje për Bashkimin Evropian, Bankën Evropiane për Investim dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për mbështetjen e financimit dhe rehabilitimit të kësaj linje hekurudhore, e cila do t’i sjellë qytetarët e Kosovës edhe më pranë Bashkimit Evropian.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara ministre e Ekonomisë, znj.Artane Rizvanolli,
I nderuari ministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu,

I nderuari ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati,
I nderuari z. Johannes Stenbæk Madsen, shef i bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian  në Prishtinë,
I nderuari z. Sergij Masliçenko, shef i BERZh-it në Kosovë,

I nderuar ambasador i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu,

E nderuara kryesuese e Bordit, Edona Nahi dhe anëtarë të bordit të drejtorëve,
I nderuari z. Naser Krasniqi, kryeshef i ndërmarrjes “Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës–Infrakos”,

Të nderuar zëvendësministra, deputetë,

Të nderuar përfaqësues të medieve,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

Sot po e shënojmë një çast vendimtar për hekurudhën në Republikën e Kosovës. Po e përurojmë rindërtimin e linjës 10 që e lidh Hanin e Elezit me Fushë-Kosovën. Po rihapim në veçanti dy tunele — njëri me gjatësi 262 metra dhe tjetri me gjatësi 122 metra — që kanë qenë të shembur tërësisht.

Mbi 164.5 milionë euro është vlera e punimeve vetëm në këtë segment të linjës 10, nga kufiri me Maqedoninë e Veriut deri në Fushë-Kosovë.

Mbi 200 milionë euro është vlera e punimeve që planifikojmë në segmentin e mbetur, nga Fushë-Kosova në Mitrovicë dhe nga Mitrovica në kufirin verior të Republikës së Kosovës.

I jemi mirënjohës Bashkimit Evropian, Bankës Evropiane për Investim dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për mbështetjen e financimit dhe rehabilitimit të kësaj linje hekurudhore, e cila do t’i sjellë qytetarët e Kosovës edhe më pranë Bashkimit Evropian.

Projekti i përgjithshëm parasheh 13 ura të reja dhe 7 tunele të rindërtuara sipas standardeve më të larta evropiane të transportit hekurudhor. Për vite me radhë ky projekt u përballë me sfida dhe pengesa të shumta. Ato po tejkalohen falë vendosmërisë së drejtuesve, inxhinierëve dhe punëtorëve të Hekurudhave të Kosovës — Ndërmarrjes Publike Infrakos, Ministrisë sonë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministrisë së Ekonomisë, nën ombrellën e të cilës është Ndërmarrja Publike Infrakos, dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Hekurudha është një infrastrukturë shumë e rëndësishme që na lidh me rajonin dhe me Evropën dhe hap shtegun e rritjes e të zhvillimit që synojmë, e që fatkeqësisht për një kohë të gjatë u injorua derisa u degradua. Ne po ia japim vëmendjen që e meriton.

Linja hekurudhore që po e përurojmë sot, dhe të tjerat të cilat do të vijnë pas saj, do të ofrojë një formë të re të transportit, më të shpejtë, më të lehtë, më të sigurt, më të lirë e më të pastër. Duke përmirësuar këtë formë të transportit publik, krijojmë kushte më të mira për eksport për prodhuesit tanë, tërheqje të investimeve të huaja në industrinë tonë, e shtojmë punësimin dhe e rrisim ekonominë.

Përtej kësaj, me tren mundësojmë lëvizje më të lehtë të të gjithë qytetarëve, qasje më të mirë të punëtorëve në vende të punës, e të nxënësve dhe studentëve në shkolla, universitete e trajnime. Investimi në transport publik veçanërisht ndikon pozitivisht në qasjen e grave në treg të punës, duke i kontribuuar kësisoj një ndër prioriteteve tona kyçe socio-ekonomike.

Gjatë javëve në vijim, ministritë e linjës dhe Infrakosi do të nënshkruajnë marrëveshjen kornizë për financimin e infrastrukturës hekurudhore për periudhën 5-vjeçare, duke ndjekur normat evropiane dhe praktikat më të mira të zhvillimit, modernizimit dhe të mirëmbajtjes së infrastrukturës.

Krahas Rehabilitimit të linjës 10, me Republikën e Shqipërisë tashmë kemi filluar marrëveshjen e bashkëpunimit për të ndër­tuar hekurudhën Prishtinë-Durrës, ku pastaj synojmë të ngremë portin e thatë që kthen kryeqytetin tonë në qendër të rëndësishme të tregtisë dhe të qarkullimit, pra të shpërndarjes e të akumulimit.

Edhe me Linjën 10 edhe me hekurudhën Prishtinë-Durrës, Kosova bëhet pjesë e Rrjetit të Transportit Trans-Evropian. Lidhjet infrastrukturore po i forcojmë, zgjerojmë dhe modernizojmë. Me forcim, rriten shkëmbimet. Me zgjerim, rritet ndërlidhja, ndërkaq me modernizim, rritet shpejtësia.

E këtu treni dikur mund të zhvillonte shpejtësi jo më shumë sesa 60 kilometra në orë. Me hekurudhën e re ai do të mund të udhëtojë me shpejtësi edhe mbi 100km/h. Dhe ashtu siç po e shpejtojmë trenin, urojmë që ky projekt të shpejtojë rritjen dhe zhvillimin e Republikës.

Ju faleminderit dhe urime të gjithëve.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *