Bajrami: Me projektbuxhetin e prezantuar, premtimet e Qeverisë s’kanë shans të realizohen

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se projektbuxheti i vitit 2024 nuk ndryshon aq nga buxheti i këtij viti dhe vitet e mëhershme.

Sipas saj, shqetësuese mbetet struktura e projektbuxhetit, pasi sipas saj rreth 1/3 shkon në subvencione dhe transfere ndërsa në tri vjet mandat të kësaj Qeverie investimet kapitale kanë ngelë të ulëta.

Bajrami në një përgjigje për KOHËN ka thënë se në vitin 2022 struktura buxhetore ishte 17% me 42% në favor të subvencioneve.

Për me tepër këto mjete buxhetore nuk po e zbusin nivelin e varfërisë sepse Qeveria po dështon në targetim të grupeve të cilat sot janë në gjendjen me të rëndë ekonomike e sociale, kjo konfirmohet edhe sipas Pulsit Publik për Inflacionin, të UNDP-së ku thuhet se rreth 26 mijë njerëz i janë shtuar listës së varfërisë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, plani buxhetor për vitin 2024 nuk ka projekte transformuese dhe nuk pritet që të japë rezultate të ndryshme nga buxhetet e viteve paraprake.

“Duhet vu theksin se ky është buxheti i fundit i këtij mandati qeverisës andaj premtimet dhe zotimet e kësaj Qeverie nuk ka asnjë shans të realizohen. Mos të harrojmë se LVV-ja erdhi në pushtet me premtimet për 160 çerdhe të reja, mijëra banesa për qifte të reja me çmime të ulëta, sigurime shëndetësore, bankë zhvillimore, fond sovran etj”, ka thënë tutje ajo.

Bajrami ka thënë se sa i përket ngritjes se pagave, respektivisht koeficientit prej 105 ne 110 është rritje e pamjaftueshme.

“Nëse i shohim raportet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mesatarja e inflacionit janar-shtator 2023 është 5.8% ndërkohë që rritja e pagave përmes koeficientit është 4.7%, d.m.th. me e ulët se norma e inflacionit, që i bie nominalisht rritje por realisht fuqia e këtyre pagave është më e vogël se në fillim të vitit. Ne konsiderojmë që koeficienti i pagave për vitin 2024 nuk duhet të jetë me i ulët se 125 euro dhe se me një planifikim më të mirë buxhetor kjo kish me qenë lehtë e mundshme’”, ka thënë ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *