Familjet e prekura nga vërshimet e qershorit të këtij viti në Komunën e Pejës, tash e pesë muaj nuk i kanë marrë dëmshpërblimet e premtuara nga komuna e tyre, e cila ka vlerësuar se dëmet janë me miliona euro.
Edhe pse komuna i kishte premtuar familjeve se do t’i kompenzohet e gjitha, qytetarët ankohen se jo vetëm që nuk i kanë marrë ende asgjë, por se edhe vlerësimi i dëmeve ka qenë jo real.
Komuna ka konfirmuar për KosovaPress, se janë 521 raste me dëme familjare, biznese dhe automjete, shumë e cila ka arritur mbi 2 milionë euro.
Qytetari nga Peja, të cilit i është dëmtuar e gjithë shtëpia, ka thënë për KosovaPress, se pas vërshimeve, e ka rregulluar shtëpinë që nga fillimi me të gjitha shpenzimet e veta, dhe se po pret kompensimin e tij nga komuna.
Ai tha se ka shpenzuar mbi 20,000 mijë euro, por se kompensimi nga komuna i takon vetëm shtatë mijë euro, gjë të cilën e konsideron të padrejtë.
Po ashtu, edhe qytetari tjetër të cilit i është dëmtuar biznesi nga vërshimet natyrore, tha se pas vërshimeve komuna nuk është interesuar për t’i shpërndarë dëmshpërblimet. Ai tha se edhe sot ka ende makina të punës, të cilat ende nuk i ka funksionale.
Ndërsa, Naser Kollçaku të cilit i është dëmtuar biznesi i tij familjar, kërkoi nga komuna që t’i paguhen dëmshpërblimet sa më shpejt.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Pejës, Gëzim Gashi ka deklaruar për KosovaPress, se si komunë kanë përmbushur detyrat për t’i dalë në ndihmë familjeve të prekura nga vërshimet.
Gashi tha se ka pasur shumë kërkesa për ndihmë dhe për këtë arsyeje është vonuar vlerësimi i dëmeve. Sipas tij, në një kohë sa më të shpejtë do të shpërndahen edhe dëmshpërblimet.
Vërshimet në Pejë përpos dëmtimeve materiale, përfundoi edhe me persona të vdekur. /KP