Mosmarrëveshja për pronë ka shkaktuar një përleshje mes kushërinjve në lagjen Ulpiana, ku si pasojë tetë persona janë rrahur mes vete, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se deri te rrahja ka ardhur për shkak të mosmarrëveshjes për një pronë e cila pritet të trashëgohet. Dy nga personat e përfshirë në rrahje kanë pësuar lëndime trupore, me ç’rast kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes e më pas kanë shoqëruar në stacion policor të dyshuarit.
Pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave policore, gjashtë nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Me vendim të prokurorit ata do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”.