Kurti: Nëse Serbia nuk dënohet apo sanksionohet për sulmin në Banjskë, s’ka dialog

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nëse Serbisë nuk i vihen sanksionet apo nuk dënohet lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, “nuk do të ketë dialog”.

Kështu është shprehur ai për “Financial Times”, para raundit të bisedimeve në Bruksel.

“Nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që bënë, definitivisht nuk do të ketë dialog”, tha Kurti.

“Ne do të përfundojmë në një menaxhim të dështuar të krizës dhe do të harrojmë fare për normalizimin”, shtoi ai.

Të enjten në Bruksel, siç shkruan ky medium, pritet të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kurti i akuzoi se “sulmuesit përpiqen të nisin një konflikt të ri të armatosur, një luftë të re në Kosovë për të aneksuar pjesën veriore të vendit tonë”.

Ai tha se pas sulmit të 24 shtatorit, “gjithçka ka ndryshuar”.

Ai i bëri thirrje të dërguarit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, të ndalojë “ta konsiderojë Serbinë një forcë të natyrës, një lloj ariu irracional që duhet t’i hedhim qengja për ta qetësuar. Kjo duhet të marrë fund për hir të normalizimit, paqes dhe sigurisë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *