Premtimi i kryeministrit Albin Kurti për takim ka bërë që Njësitë Elitare të Policisë së Kosovës ta pezullojnë përkohësisht protestën e dytë që kishin paralajmëruar për të martën. Kurti do t’i pres në takim përfaqësuesit e këtyre njësive javën e ardhshme. Për ditën dhe detajet e takimit, nga qeveria kanë thënë se do të dalin me njoftim ndërkohë, derisa nga Sindikata e Policisë presin reflektim lidhur me kërkesat e policëve specialë.
Pakënaqësitë lidhur me shtesat e rrezikshmërisë i kanë nxjerrë në rrugë, javën që shkoi, pjesëtarët e Njësive më Elitare të Policisë së Kosovës, Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI) dhe Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME).
Të veshur në uniforma, por pa armë, ata protestuan para objektit të Qeverisë së Kosovës me tri kërkesa kryesore: kategorizimin si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe që të ketë shtesa për kushte specifike të punës.
Një tjetër protestë u paralajmërua nga ta për të martën (07.11.2023), por po atë ditë Policia njoftoi se protesta është pezulluar përkohësisht. Ky vendim erdhi pasi kryeministri Albin Kurti u premtoi atyre takim zyrtar për t’i diskutuar kërkesat e tyre dhe për të gjetur një zgjidhje. Por, se kur do të realizohet ky takim, ende nuk dihet saktësisht.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i ka thënë Gazetës Express se takimi është paraparë për javën tjetër, derisa për ditën e takimit ka thënë se do të ketë një njoftim tjetër.
“Kryeministri ka shprehur gatishmërinë e tij që të takojë drejtuesit e Policisë së Kosovës dhe përfaqësuesit e Njësive Elitare të Policisë së Kosovës. Takimi është paraparë për javën tjetër. Për ditën dhe detajet e takimit do të njoftoheni ndërkohë”, ka thënë Kryeziu.
Edhe nga Sindikata e Policisë së Kosovës thonë se ende nuk është caktuar dita e takimit. I pyetur lidhur me pritjet nga ky takim, kryetari i kësaj sindikate, Imer Zeqiri, i ka thënë Gazetës Express se pret reflektim lidhur me këto kërkesa.
“Takimin e kanë caktuar për javën e ardhshme, por ditën nuk e kanë caktuar. Unë po kam qejf me prit mirë, unë po kam qejf me reflektu pozitivisht, përndryshe situata është me pakënaqësi të mëdha, kështu që s’po mundem me paragjyku”, ka thënë Zeqiri.
Tentimi i Qeverisë për “ta shuar” protestën e policëve specialë
Pas protestës që zhvilluan këto dy njësite para objektit të Qeverisë së Kosovës, Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla u deklaruan lidhur me kërkesat e tyre, përmes postimeve në Facebook.
Kurti tha se 27 për qind e pjesëtarëve të Policisë kanë pasur të hyra më shumë se 1000 euro në muaj, duke shtuar se janë 203 policë që sivjet kanë pasur të ardhura edhe më të larta se Presidentja Vjosa Osmani.
”Nevojat, jo vetëm dëshirat, janë përherë e shumë herë më të thjeshta se zgjidhjet. Jetojmë në Kosovë, ku BPV për kokë banori në muaj është rreth 460 euro. E sivjet, 2.134 policë të Kosovës, apo gati 27% morën më shumë se 1.000 euro në muaj mesatarisht. Janë 203 policë të Kosovës që sivjet patën të ardhura më të larta sesa Presidentja e Republikës (1.890 euro bruto, koeficienti 18), e në muajt qershor e korrik ishin afër 700 sosh (ku sigurisht bëjnë pjesë shumica absolute e pjesëtarëve të NjSI)”, shkroi Kurti në postimin e tij,.
Ndërkohë, Ministri Sveçla deklaroi se ka policë të cilët të ardhurat mesatare mujore e kanë mbi 2 mijë e 200 euro.
“Për ne, ka qenë gjithmonë synim përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi i pajisjeve që mbrojnë jetën e zyrtarit policor si dhe trajtimi dinjitoz e i drejtë i tyre, teksa për dallim nga kohërat e mëhershme, kur kompensimet për angazhimet shtesë nuk janë zbatuar fare, ne kemi kompensuar ato pa vonesa. Të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro”, shkroi Sveçla.
Deklaratat e tyre nxitën reagime të shumta në opinionin publik, pasi sipas Ligjit për Paga, polici i lartë merr pagë bazë vetëm 619 euro.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, kishte sqaruar se një pagë e tillë mund të arrihet vetëm duke pasur parasysh orët shtesë.
”Varësisht se cila është grada e tij, a është polic, rreshter apo toger brenda këtij njësiti. Nëse e marrim një polic të lartë që e ka koeficienti 5.9 aktualisht paga e tij është 619 euro dhe kur llogaritet që ky njësit para implementimit ë ligjit të pagat ka pas shtesë për rrezikshmërisë 215 euro dhe plus 100 euro me një vendim të qeverisë i bie 315 euro, shtesë që nga implementimi i pagave nuk e kanë pranu asnjëherë”, ka deklaruar ai “Frontal”, në T7.
Sa paguhen policët e Kosovës?
Pagat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë e deri në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm.
Pjesëtarët e dy Njësiteve Elitare që kanë protestuar llogariten të jenë në kategorinë e policëve të lartë. E një polic i lartë ka pagë bazë 619 euro.
Ata me gradën polic marrin 525 euro pagë, teksa polici i ri 472 euro. Më së paku paguhen kadetët, saktësisht 210 euro.
Para dy javësh, Kryeministri Kurti i ka prezantuar shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Qeveria e ka ndarë shumën e shtesave në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve në Policinë e Kosovës.
“Shtesat për njësitë elitare, për njësinë speciale intervenuese, për njësinë për ndërhyrje të shpejtë, dhe për njësinë për mbrojtje të afërt, janë nga 150 euro shtesë mbi pagën bazë”, ka thënë Kurti gjatë prezantimit të këtyre shtesave.
Ai ka thënë se shtesa prej 120 eurosh do të marrin njësitet operative K-9, dhe njësia për eksplozivët dhe deminim.
“Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarë të hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj. Ekipet reaguese dhe patrullat, që përbëjnë numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policëve që angazhohen për sigurinë e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, do t’iu ndahen nga 50, respektivisht 40 euro shtesë të rrezikshmërisë”.
E formuar 24 vjet më parë, Policia e Kosovës numëron mbi 9.000 pjesëtarë me grada të ndryshme.
Ata nuk kanë as sigurim shëndetësor, as jetësor.