Të ushqyerit gjatë muajit të Ramazanit është me rëndësi të veçantë pasi kemi të bëjmë me shumë orë abstenimi nga ushqimet dhe pijet, gjithashtu është muaj i një sërë aktivitetesh që zhvillojnë besimtarët. Është e shumë e rëndësishme që t’i kushtoj vëmendje se çfarë lloji dhe çfarë sasie të ushqimit marrin gjatë kohës së syfyrit dhe iftarit. Një ushqyerje e drejtë nënkupton agjërim më të lehtë dhe përfitime shëndetësore nga një proces kaq i rëndësishëm.
Ne jetojmë në një kulturë të obsesionit me ushqim, ku shpeshherë motoja e shumë njerëzve është “ne jetojmë për të ngrënë” dhe në tërë këtë kulturë procesi i agjërimit merr një rol shumë të veçantë të një rikthim në prioritetet e duhura si ato shpirtërore, intelektuale ashtu edhe ato të ushqyeshmërisë e përfitimeve shëndetësore tashmë të provuara edhe shkenctarisht.
Agjërimi është një hap i rëndësishëm për shëndetin e atyre që e praktikojnë, është një regjenerim i përgjithshëm i organizmit në një sërë procesesh metabolike e më gjerë.
Ndiçni këshillat në vazhdim për agjërim më të lehtë dhe me përfitime më të mëdha shëndetësore e praktike.
Çfarë është më e pëlqyer të hajmë dhe të pijmë në Muajin Ramazan
Këshilla të përgjithshme
• Ajo që duhet të kemi kujdes është që vaktet duhet ti organizojmë mirë dhe të marrim sasi të mjaftueshme të ujit apo lëngjeve (rreth 2 litra).
• Kjo arrihet duke mos e tepruar me sasi të mëdha të ushqimit, por të kujdesemi që ushimi që marrim ti përmbajë të gjithë përbërësit e nevojshëm si proteinat, karbohidratet si dhe yndyrat e shëndetshme si dhe të kemi prezencë të vitaminave dhe mineraleve.
• Muaji i agjërimit është muaj kur duhet të qëndrojmë larg ushqimeve me yndyrë, sheqer, brumërave dhe të rikthehemi në ushqime të shëndetshme për të arritur efektet e plota në organizëm si në anën shpirtërore ashtu atë shëndetësore.
• Gjatë periudhës së agjërimit, të gjithë ata që mbajnë Ramazan, ushqehen në dy vaktet kryesore, siç janë iftari dhe syfyri, por është shumë e rëndësishme rritja e numrit të vakteve, për të mos përjetuar probleme metabolike. Për këtë arsye, mundohuni të konsumoni edhe një vakt pas iftarit ose para gjumit së paku 1 orë.
• Duhet të përdorim ushqim që tretet lehtë dhe shpejtë për iftar, ndërsa për syfyr ushqim që përpunohet ngadalë.
• Muaji Ramazan është muaj i shëndetit dhe nuk duhet të ndalojmë veprimtarinë, punën dhe aktivitetet tjera ku kërkohet edhe angazhim fizik e intelektual si mësimi, studimet etj.
• Ramazani është edhe periudha ku disa njerëz shëndoshen më shumë për shkak të ushqyerjes së gabuar. Ndjekja e këshillave dietologjike është e rëndësisë së veçantë.
Ushqimi për syfyr
• Syfyri nuk duhet neglizhuar asnjëherë, pra duhet ngrënë në kohën e caktuar dhe duhet respektuar si një vakt i rëndësishëm i ushqimit. Një ushqim i qëlluar në syfyr mundëson një agjërim më të lehtë.
• Syfyri duhet të jetë ushqim cilësor si:
— vezë
– drithërat dhe makarona integrale,
– arra,
– fruta me misër, fruta të thata,
– perime,
– ushqime bishtajore,
– peshk,
– mish,
– kos me fruta të ndryshme sezonale
– supë me thjerrëza ose bizele,
– djath.
– në syfyr mund të pini çajra bimorë,
– në vend të pijeve acidike, të gazuara mund të konsumoni dhallë, limonatë, çaj me akull,
– pas mbarimit të syfyrit pihet edhe dy gota ujë dhe ju jeni të përgaditur për agjërimin e ditës në vijim.
KUJDES:
– Kur jemi te konsumimi i djathit, kujdes me kripen që pwrmban, nëse ka shumë duhet patjetër larguar, sepse kjo shkakton etje të madhe gjatë ditës dhe rritë nevojën për futje ujit në trup)
-Konsumimi i sallatës ndikon në funksionimin e rregullt të sistemit tretës dhe gjithashtu ju mban të ngopur gjatë ditës.
– Në Ramazan duhet të konsumojmë më shumë lëngje rreth 2-2,5 litra ujë. Nuk duhet të konsumojmë vetëm gjatë ushqimit, por edhe në mes vakteve.
Ushqimet që duhet të evitohen gjatë Muajit Ramazan
• Përdorimi i shpeshtë i kafes dhe dhe çaj të zi;
• Ushqime të skuqura, ushqime të përgaditura shpejtë dhe në mikrovalë;
• Ushqime me përmbajtje të lartë të yndyrave, ushqimet shumë aromatike;
• Ëmbëlsirat e shumta si bakllava, torte dhe ngjashëm;
• Pijet e gazuara apo edhe ato të ëmbëlsuara me sheqer duhet të shmangen (në vend të hidratimit, ata bëjnë të kundërtën).
Agjërimi ushqim për shpirtin dhe zemrën
Muaji Ramazan është një muaj i veçantë, i cili vjen për pasurimin e shpirtit dhe të zemrës, muaj i shëndetit, dashurisë e i virtyte të larta njerëzore përmes agjërimit të këtij muaji besimtari arrin të përmirësojë qënien e moralin e tij, sjelljet e besimin e tij dhe gjithçka i duhet të paiset me të për të qenë një njeri model në shoqërine ku jeton. Ky muaj është muaj i begative të panumërta nga Zoti, në këtë muaj agjeruesit përballen me urinë dhe etjen, gjë e cila i bën të mendojnë më shumë për vuajtjet e të varfërve por edhe mirësive që i rrethojnë./Familjadheshendeti