Ministria e Infrastrukturës ka marrë vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës për tre ekzaminerët e angazhuar në departamentin për patentë shofer.
Kështu ka bërë të ditur zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili ka thënë se vendimi është marrë pas informatave për dyshime të bazuara në keqpërdorime të mëdha në procesin e punës.
“Sot kam nxjerrë vendim për shkëputje të marrëdhënies së punës për tre ekzaminer të angazhuar në departamentin për Patentë shofer. Këtë veprim e kam bërë pas informatave për dyshime të bazuara në keqpërdorime të mëdha në procesin e punës”, ka shkruar Durmishi në Facebook.
Sipas tij, ditëve në vazhdim do të prezantohen të gjitha të gjeturat që lidhen me keqpërdorime shumë të mëdha në njësitë për patentë shofer gjithandej Kosovës.