Qalaj për Neutral: Policët e kërkuar nga INTERPOL janë në rrezik për jetën, shteti të rris sigurinë personale të policëve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, në një pronocim për Gazetën Neutral ka bërë thirrje për të rritur masat mbrojtëse për katër policë të Kosovës, të cilët janë futur në listën e INTERPOL-it, duke i konsideruar ata të rrezikuar me jetë.

Sipas ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, personat që janë në listën e INTERPOLIT janë në rrezik, veçanërisht për shkak të ndikimit të mundshëm të Rusisë dhe shtetit serb terrorist.

Qalaj u shpreh kritik ndaj shtetit, pasi sipas tij është e domosdoshme që autoritetet të ndërmarrin masa për të rritur sigurinë e katër policëve, duke përfshirë patrullimin dhe masat mbrojtëse gjatë udhëtimeve në punë.

“Unë e di që për tre persona lista është aktive për ata emra që i kemi përmendur, por nuk e di që është edhe një person i katërt. Unë e konsideroj që ata janë të rrezikuar me jetë, për atë arsye në Kuvendin e Kosovës kam bërë thirrje që ndaj tyre të rriten masat mbrojtëse, edhe në patrullim edhe gjatë udhëtimeve në punë, sepse konsideroj që, thjesht në listën e Interpolit paraqet një lloj rreziku për sigurinë e tyre.” shtoi Qalaj.

Në lidhje me kërkesën për policinë që punon në Bernjak dhe është në listën e Interpolit, Qalaj ka bërë thirrje për një zgjedhje urgjente për të adresuar këtë situatë. Ai e ka vlerësuar si e papranueshme që një person i kërkuar nga Rusia të vazhdojë të punojë në këtë pozicion pa marrë masa urgjente për sigurinë dhe stabilitetin.

“Për njërin nga policët kam bërë ftesë që ai punon në Bernjak shkon dhe vjen në Bernjak, dhe për mua është e pakuptimtë që një person në listën e Interpolit, të kërkuar nga Rusia, dhe e dimë çfarë ndikimi e ka Rusia dhe shteti serb terrorist, duhet të bëhet një zgjedhje urgjente për njërin nga punonjësit që është në listën e Interpolit.” – tha Ish-drejtori i Policisë.

Qalaj ka theksuar nevojën për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë për të hequr persona të listuar nga Interpoli. Ai ka shprehur besimin se Kosova duhet të bëjë të mundurën për të siguruar që këta persona të hiqen nga lista e Interpolit për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin e vendit.

“Shteti kosovar duhet të bëjë të pamundurën që këta persona, këta persona zyrtarë të heken nga Lista e Interpolit, meqë ata nuk kanë mundësinë e çarkullimit në asnjë shtet jashtë Kosovës, jo domosdoshmërisht shtetet kanë obligim të ndalojnë personat që janë të kërkuar nga Interpoli, duke e ditur tashmë ndikimin e Rusisë në luftën me Ukrainën. Shteti i Kosovës duhet bashkarisht me partnerët tanë në mënyrë që sa më parë këta persona zyrtarë të largohen nga lista e Interpolit.”, theksoi ai.
Në kërkim të sigurisë për personat në listën e Interpolit, Qalaj ka bërë thirrje për një veprim të menjëhershëm nga qeveria për të rritur masat për sigurinë personale të tyre, duke përfshirë rrjetin e brendshëm të policisë. Kjo është e domosdoshme për të garantuar që ata të jenë të mbrojtur në këtë kontekst të rrezikshëm.

“Kosova nuk po i ofron siguri këtyre policëve, deri tani jo, prapë po kërkoj nga qeveria, rrjeti i brendshëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë që t’i rrisin masat për sigurinë personale të policëve që janë në listën e Interpolit.”, tha në fund deputeti i PDK-s, Rashit Qalaj.

Nga burime të besueshme të Gazetës Neutral, thuhet se katër policë të Kosovës, një prej tyre komandant, janë futur në listën e INTERPOL-it, dhe nuk janë tre.

Po të njetat burime thonë për Gazetën Neutral se këta policë kanë siguri minimale dhe vozitin vetura të pa blinduara dhe nuk kanë mbrojtje të afërt nga shteti.

Këta policë janë të kërkuar për shkak të një incidenti në vitin 2019, ku ata kishin arrestuar një zyrtar të UNMIK-ut nga Rusia për bashkëpunim me grupe kriminale në veri të Kosovës.

Ndryshe, Gazeta Neutral ka kontaktuar Policinë e Kosovës në lidhje me rastin, por deri tani nuk kanë kthyer përgjigje.

/GazetaNeutral/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *