S’ka marrëveshje me Kurtit dhe Njësive Speciale të Policisë së Kosovës

Takimi i përfaqësuesve të Njësisë Speciale Intervenuese me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përfunduar pa marrëveshje.

Sinjali mëson se Kurti dhe përfaqësuesit e njësive speciale nuk arritën që të merreshin vesh për plotësimin e kërkesave përkundër diskutimeve që zgjatën për më shumë se tri orë. 

Njësia Speciale Intervenuese dhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive kanë protestuar para disa javësh para objektit të Qeverisë së Kosovës duke kërkuar nga kryeministri Kurti, rishikimin e vendimit për shtesat e rrezikshmërisë në punë. 

Ata kërkuan kategorizim si njësi të veçanta, përfshirje në listën e ekspertëve, që rrezikshmëria të caktohet në 50% të pagës bazë, si dhe shtesa për kushte specifike të punës.

Pjesëtarët e këtyre njësive policore janë të certifikuar për luftën kundër terrorizmit, lirimin e pengjeve, si dhe në rastet kur cenohet siguria kombëtare, “përkatësisht janë të specializuar për trajtimin e kërcënimeve me eksplozivë dhe bomba”.

Më 27 tetor, Qeveria e Kosovës prezantoi shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Shtesat janë ndarë në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve policorë.

Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë prej 150 euro mbi pagën bazë.

Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria tha se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *