Zëvendëskryeministri i Kosovës, Bensik Bislimi, në një intervistë për median opozitare serbe “Danas”, me 9 shtator, priste që Bashkimi Evropian t’i hiqte masat ndëshkuese ndaj Kosovës para takimit të nivelit të lartë, mirëpo ato, jo që nuk u hoqën, por pati paralajmërime nga zyrtarë të Unionit se ato mund edhe të shtohen.
Edhe pse nuk ndodhi ashtu siç ka kërkuar Bislimi, pasi që Prishtina shkoi në Bruksel me masa ndëshkuese mbi supe, ato kanë mundur që të largohen më 14 shtator, në takimin e nivelit të lartë në kuadër të nivelit të dialogut Kosovë-Serbi.
Sipas burimeve diplomatike të “Radio Evropa e Lirë” brenda BE-së, kjo çështje është diskutuar në takimin në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Shefit të Diplomacisë evropiane, Josep Borrell, më 14 shtator.
Borrell, sipas REL-it, i ka thënë Kurtit se është i gatshëm të rekomandojë heqjen e masave nëse do të raportonte për sukses në takim, bisedimet të cilat përfunduan pa ndonjë rezultat meqë Kosova nuk pranoi një propozim të BE-së për marrëveshjen për normalizim, andaj nuk pati edhe lëvizje sa i përket masave.
Zyrtari i BE-së ndër të tjera i ka thënë REL-it se masat ndaj Kosovës janë fleksibile, të përkohshme, mund të hiqen, por edhe të shtohen, pasi për to janë pajtuar 27 shtetet anëtare të bllokut të cilat nuk i vënë në dyshim masat.