Aurel Pajaziti personi që ia ka lëshuar veturën me qira Granit Plavës, ka zbuluar detaje nga lëvizjet e ekzekutuesit të Liridona Ademajt në ditën kritike.
Në dëshmitë e siguruara nga Paparaci, Pajaziti rrëfen se ia lëshoi me qira veturën Granit Plavës më datë 27.11.2023.
Më pas, siç pohon ai, më datë 29.11.2023, Graniti e kishte telefonuar dhe i kishte thënë se i duhet vetura për ta marrë dikë në aeroport.
“Po. Ky automjet është në pronësi të kompanisë “Gixha SHPK”. ndërsa kompania është në emër të nënës time. Hate Haradinaj Pajaziti. Kjo kompani është biznes “rent e car”. Pra lëshojmë vetura me qira”.
“Këtë veturë. Seat Exio, me targa 07-984-EK ia kemi lëshuar me qira personit Granit Plava, me datë 27.11.2023 rreth orës 18:00. I njëjti e kishte në posedim automjetin deri më datë 29.11.2023 rreth orës 14:00. Më datë të njëjtë 29.11.2023, Granit Plava rreth orës 15:00 më ka telefonuar dhe më ka thënë se po me duhet vetura për me shku me marrë dikë në aeroport. Pra të njëjtin automjet e ka marrë përsëri”, tha ai.
Ai tregon se bashkë me Granitin për ta marrë veturën ka qenë edhe një person tjetër me veturë “Range Rover”.
“Po më kujtohet. Granit Plava kishte ardhur me një veturë të tipit “Range Rover”, ngjyrë hiri të cilën ka qenë duke e vozitë Graniti. Ndërsa me të ka qenë edhe një person tjetër që nuk e kam njohur. Pasi Graniti e ka marrë veturën Seat personi tjetër ka vazhdu me veturën “Range Rover”, pohoi ai.
I pyetur nëse kanë nënshkruar kontratë për lëshimin e veturës me qira, Aurel Pajaziti tha se “nuk i kanë lëshu kurrëfarë kontrate”.
“Jo nuk i kemi lëshu kurrëfarë kontrate. Jo, kjo është hera e parë që ka marrë veturë mirëpo si figurë e kam njohur, por jo diçka më shumë”, theksoi ai.