Afro nëntë muaj që prej hyrjes në fuqi të Ligjit për Paga, Qeveria më në fund doli me propozim për shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë. Sipas propozimit të Qeverisë, lartësia e shtesave do të jetë e ndryshme për 7 kategori, dhe do të sillen nga 45 deri në 150 euro, shkruan Gazeta Neutral.
Por në pakënaqësi me shtesa, Njësia Speciale Intervenuese protestoi në fillim të muajit nëntor, një protestë tjetër paralajmëroi ta mbajë edhe më 7 nëntor por të cilën e pezulluan.
Burimet e Gazetës Neutral bëjnë të ditur se së fundmi, është angazhuar Auditori Gjeneral për të vënë në llupë orët e angazhimit të policëve që kanë qenë të angazhuar në sulmin në Banjskë.
Gazeta Neutral mëson se Auditori Gjeneral ka kërkuar nga Policia e Kosovës, listat e orëve shtesë për të gjithë pjesëtarët pjesëmarrës në sulmin e 24 shtatorit.
Këto lista, sipas burimit do të përdoren për t’i analizuar dhe për t’i shikuar nëse orët janë të shënuara konform ligjit.
Ndryshe, sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pjesëtarët e Njësisë Speciale kanë fituar mesatarisht mbi 2,200 euro në muaj gjatë vitit, ndërsa ata kanë punuar orë shtesë jashtë rregullave për shkak të situatës në veri.
Paga bazë e njërit pjesëtar të Njësisë Speciale Intervenuese është konfirmuar të jetë 631 euro e 89 centë sipas një dokumenti nga data 12 tetor 2023.
/GazetaNeutral/